Komisioni Hetimor i Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka paraqitur raportin përfundimtar që vlerëson se presidentit i Republikës ka shkelur 4 nene të Kushtetutës. Gjatë mbledhjes së mbajtur paraditen e sotme, kreu i komisionit hetimor, Alket Hyseni teksa prezantoi raportin përfundimtar, tha se ky dokument do të votohet unanimisht gjatë ditës së sotme dhe do të paraqitet në parlament brenda 7 ditëve. – Advertisements – Your browser does not support the video tag. “Qartësisht rezulton se Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, antimazhorancë, që bie ndesh me nenin 89 të Kushtetutës, ku parashikohet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari të tjera. Presidenti nuk duhet që të përfshihet në fushatë zgjedhore kundër një ose disa forcave politike, apo të mbështesë grupe të tjera. Qëndrimet e veta publike, të ashpra kundër mazhorancës, Presidenti i ka mbajtur në mënyrë konstante. Komisioni Hetimor çmon se Presidenti nuk qëndroi mbi palët dhe me qëndrimet e tij humbi funksionin e të qenit faktor ekuilibri”, tha Hyseni. Kuvendit i duhen 94 vota që presidenti i Republikës të shkarkohet nga detyra. Partia Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet në Shqipëri për herë të tretë, ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën me gjuhën e përdorur në deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore. Deputetët socialistë kanë thënë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë.” Kreu i shtetit, Ilir Meta nuk është paraqitur në asnjë prej seancave, pavarësisht thirrjeve qe iu bënë nga Komisioni Hetimor dhe nga deputetët e PS-së. Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një Kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022. Në rast të shkarkimit, presidenti Meta do të bëhej presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të vijnë në Kosovë, për t’u takuar me kryeministrin, Albin Kurti, konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel. Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.
Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së është rritur në shumë çështje që nga zgjedhjet presidenciale amerikane, ku fitoi Joe Biden.Me administratën Biden, BE-ja thotë se e ka “më të lehtë të bashkëpunojë”, ndërkaq, Ballkani Perëndimor është një rajon ku ky bashkëpunim shihet si i domosdoshëm.

Para dy ditësh, Lajçak takoi në Bruksel Palmerin dhe më të kishte biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./REL