Komisioni Evropian do të lëshojë tutje 50 për qind të asistencës financiare për Kosovën në kuadër të procesit të heqjes së masave ndëshkuese. Kështu ka konfirmuar për KOHËN një zëdhënës i Komisionit Evropian.
“Pas transferit të rregullt dhe të qetë të pushtetit lokal në dhjetor 2025 pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne do të lëshojmë tutje përafërsisht 50 për qind të asistencës financiare në shumë prej rreth 216 milionë eurosh“, ka thënë ky zëdhënës. “Kjo do të mundësojë nënshkrimin e 4 projekteve (që së bashku përbëjnë 34,6 milionë euro të kontributeve të BE-së) dhe të nisë implementimi. Po ashtu për të përmbyllur programimin e mbetur të fondeve IPA III që janë dedikuar Kosovës“, thotë më tej i njëjti burim.
Nga kjo, 181 milionë pritet të planifikohen për miratim nga Komisioni Evropian si vendim për financim në pranverë të vitit 2026, që do të mundësonte projektet e para të nisin në pjesën e dytë të vitit 2026.
Të martën, ministrat e BE-së përmes konkluzave të presidencës daneze të BE-së kishin përshëndetur heqjen e masave të mbetura. Por shpejtësia dhe modaliteti i heqjes së tyre tash varen nga Komisioni Evropian.
Nga ky njoftim i Komisionit Evropian shihen sinjale se masat nuk do të hiqen në tërësi, siç do të preferonin shumica e vendeve anëtare të BE-së, por vetëm gradualisht. Në Komisionin Evropian nuk saktësojnë se kur dhe cilat do të hiqen./Koha




