Komisionerja Kos: Ka vend në BE për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos tha se ka vend në BE për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.

Kos, në deklaratën e dhënë para fillimit të mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se sot do të diskutojnë tema kryesore gjeopolitike, duke filluar me Ballkanin Perëndimor.

“Kam një mesazh shumë të qartë. Ka vend në Bashkimin Evropian për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian. Dhe nëse kandidatët tanë japin rezultate, atëherë edhe ne duhet të japim dhe ne po japim”, tha ajo.

Komisionerja Kos rikujtoi se pas 17 vitesh, kanë krijuar për herë të parë grupin punues për traktatin e pranimit për një vend të ri, gjegjësisht për Malin e Zi. “Eurobarometri i fundit ka treguar se populli i Malit të Zi është vërtet shumë në favor të anëtarësimit në BE”, tha ajo.

Duke folur për planin e rritjes, Kos potencoi se zbatimi në këtë çështje po ecën mirë.

“Ditën e ardhshme do të shpërndajmë afër 200 milionë euro për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe ne po sjellim rezultate të prekshme kur bëhet fjalë për integrimin gradual. Siç e dini, javën e kaluar, Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA”, u shpreh komisionerja Kos.