Komandanti i KFOR-it flet për sigurinë në Kosovë dhe FSK-në

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Franko Federici, konsideron se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, ndërsa kërcënimi më i madh për stabilitetin është përdorimi i narativës dhe retorikës së ashpër, transmeton “Bota Sot”.

Ai tha se situata përcillet me kujdes dhe në atë kuptim bashkëpunon afërt me organizatat lokale e ndërkombëtare, duke nënvizuar përballjen me secilën situatë të mundshme, për të ruajtur sigurinë në Kosovë.

“Sfidat në 22 vitet e shkuara të operacionit më të gjatë të NATO-së nuk kanë ndryshuar dhe mandati i KFOR-it nuk ka ndryshuar”, u shpreh ai.

Në pyetjen për komentimin se FSK është formuar në kundërshtim me qëndrimet e aleancës, Federici tha se politika e NATO-s pasqyrohet në komentet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“KFOR-i është i fokusuar secilën ditë në realizimin e mandatit të nënshkruar dhe NATO përmes ekipit të vetë vazhdon mbështetjen e zhvillimit të FSK-së në harmoni me mandatin, për mbrojtje civile”.

Federici potencoi edhe kontaktet dhe bashkëpunimin me ushtrinë e Serbisë në nivelet operative, bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe bashkëpunimin e deritashëm gjatë këtij mandati.

Sot në 22 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës me të cilën u siguara paqja në Kosovë dhe u ndalua bombardimi i NATO-s mbi SRJ, Federici tha se prioritetet e këtij misioni mbeten të njëjta dhe puna kryesore është krijimi i sigurisë dhe stabilitetit.

“Ushtarët e KFOR-it kanë hyrë në Kosovë me 12 qershor 1999 bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe rezolutën 1244 të OKB-së, të cilët ofrojnë siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha bashkësitë në Kosovë”, tha ai për Euronews.