Kolona në “Bogorodicë” dhe “Dojran”: Pritje rreth 40 minuta për dalje nga shteti

Në pikat kufitare “Bogorodicë” dhe “Dojran” është shënuar lëvizje e shtuar e automjeteve, ndërsa koha e pritjes për dalje nga shteti është rreth 40 minuta, njofton Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM).

Nga atje bëjnë të ditur se në pikat e tjera kufitare nga ana maqedonase nuk ka pritje më të gjata, as në hyrje dhe as në dalje nga shteti.

Sipas informacioneve të LAMM-it, intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar, ndërsa trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.

Rekomandime për shoferët

LAMM apelon që shoferët të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes, të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të vozisin me kujdes, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina, ultësira dhe gryka.

Vëmendje e veçantë rekomandohet në segmentet Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë, ku ekziston mundësia e paraqitjes së rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve.