Koeman nuk pret që të ketë ndeshje të përfaqësueseve deri në shtator

Seleksionuesi i Holandës në futboll Ronald Koeman, po pret që ndeshjet e përfaqësueseve të parapara të luhen në fund të majit dhe fillim të qershorit të anulohen, për shkak të koronavirusit.

Ai e sheh shtatorin si datë më të besueshme për zhvillimin e ndeshjeve.

Me shumicën e Evropës të mbyllur shkaku i përhapjes së koronavirusit, ndeshjet e Holandës me SHBA-në dhe Spanjën janë anuluar, ndërsa Kampionati Evropian është shtyrë për një vit.

Holanda e Koemanit do të përballet me Greqinë më 28 maj dhe Uellsin më 6 qershor, por seleksionuesi nuk llogarit në zhvillimin e atyre ndeshjeve.

“Së pari duhet të nisin ligat dhe më pas do të dimë nëse do të luhen ndeshjet e përfaqësueseve. Mes 1 dhe 9 qershorit ende është një vend në kalendar për ndeshje të përfaqësueseve, por unë po e llogarisë sikur ato ndeshje nuk do të luhen”, ka thënë Koeman, njofton agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Koeman pret që ndeshjet e para për përfaqësuese në Evropë të jenë në garën e Ligës së Kombeve, që do të luhet në shtator, tetor dhe nëntor.

Holanda gjendet në Grupin 1 të Ligës A me Bosnjë-Hercegovinën, Italinë dhe Poloninë.