Koço Danaj: Kosova nuk është Krime

 

Ju zoti Lavrov në intervistën tuaj kur folët për aneksimin e Krimesë nga Rusia, përsëri ju referuat Kosovës.
Po përsëri gabuat zoti ministër.

E para: Ju e dini shumë mirë se Kosova iu aneksua me dhunë Sërbisë, pas Konferencës famëkeqe të Londrës, ose Kazinoja ose Thertores Ndërsa Krimeja ju dha Ukrainës nga Byroja Politike e PKBS në kohën e Hrushovit, dhe kjo ndodhi në vitin 1954. Hrushovi e bëri këtë se ju ishit atëherë BRSS, kurse Hrushovi ishte ukrainas. Le të dënojë Putin dhe ju mbledhjen famëkeqe të Londrës që e coptoi kombin shqiptar dhe Kosovën ja dha Sërbisë duke e trajtuar si plackë lufte!!. As më shumë e as më pak, le të bëjë atë që bëri Lenini në 1917.
E dyta: Mbi Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës u ushtrua një gjenocid gati një shekullor nga shovinizmi sërb. Mjafton tju kujtoj dy referat e famëkeq Vasa Çubrilloviç në 1937 dhe 1944. Le ta dënojë zyrtarisht Rusia këtë gjenocid kundër shqiptarëve.

E treta: Rusia është ajo që mban akoma në këmbë Rezolutën famëkeqe 1244, duke vendosur Veton e saj. Kjo Rezolutë, është akoma si fusnotë e dytë pas fjalës Kosovë. Le ta heqë Putin, të drejtën e Vetos duke u bërë nismëtar i anullimit të kësaj Rezolute.
E katërta: Kosova nuk ka të drejtë me Kushtetutë të bashkohet më Shqipërinë, për shkak të kësaj Rezolute. Le të ndikojë Rusia tek arbitrat ndërkombëtarë, për të ndryshuar Kushtetutën duke lejuar Kosovën të bashkohet me Shqipërinë.
E pesta: Ju e dini shumë mirë se miqtë e tuaj sërbët e kërcënojnë Kosovën me ndarjen e Veriut të saj, ndërsa Krimeja u bashkua me Rusinë pa pyetur se sa tatarë apo ukrainas jetojnë atje. Për kulturë të diplomacisë ruse, në Kosovë jetojnë 92 përqind shqiptarë dhe 8 përqind pakica kombëtare. Në Krime jetojnë 58 përqind rusë dhe 32 përqind pakica kombëtare.
E gjashta: Në Konferencën e Potsdamit në Korrik 1945, populli shqiptar I Kosovës u trajtua si pakicë që kishte marrë pjesë aktive në Luftën e dytë botërore me 50 mijë antifashistë dhe 6 mijë dëshmorë. Megjithatë, aleatët më të ngushtë të Rusisë, sërbët vazhduan gjenocidin ndaj tyre dhe shpërnguljen në Turqi.
Pra janë gjashtë fakte që nuk janë thënë as nga Putin, por as nga ju si kryediplomati që jeni.
Por që duke qënë fakte janë kokëfortë.
Deri atëherë shqiptarët nuk ju besojnë as ju dhe as disa rusofilë e sërbofilë që ekzistojnë akoma në Bruksel.