Kryeprokurori Ljupço Kocevski konfirmoi se janë arrestuar dhjetëra punonjës në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) dhe se aktualisht po kryhen bastisje në disa lokacione, përcjell TV21. Procedura paraprake, sipas Kocevski-t, lidhet me rastin e Koçanit, por do të ndiqet në mënyrë të veçantë, si rast i veçantë i Prokurorisë së Koçanit.
“Rasti aktualisht është regjistruar në Prokurorinë e Koçanit, duke pasur parasysh se vendi i kryerjes së veprës është në atë zonë. Nëse dalin të dhëna të reja për ndonjë vepër penale tjetër, rasti mund të transferohet te Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit. Megjithatë, nga informacioni fillestar i kallëzimit penal, kompetente është Prokuroria e Koçanit,” tha Kocevski.
Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, personat akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, si dhe për dhënie dhe marrje ryshfeti.
“Kjo lëndë nuk mund të bashkohet me lëndën aktuale për Koçanin, sepse këtu nuk ka lidhje me pasojën e dëmshme, përkatësisht me vdekjen. Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me keqpërdorim dhe dhënie e marrje ryshfeti, që nuk kanë lidhje me ngjarjen penale ose rastin për Koçanin, i cili aktualisht është në proces”, shtoi Kocevski.
Prokurori tha se në këtë moment nuk mund të zbulojë se cilat pozicione në DAP mbajnë personat e përfshirë në procedurë, pasi ende po mblidhen informacionet e përgjithshme, ndërsa më shumë detaje pritet të jepen gjatë ditës.
Në pyetjen e gazetarëve se për cilin vit lidhen keqpërdorimet duke pasur parasysh afatet e vjetërsimit, Koceski tha se nëse do të kishte vjetërsim, Prokuroria nuk do të ndërmerrte asnjë veprim.
“Për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, afati i vjetërsimit është për pesë vitet e fundit ose tre vitet e fundit, ndërsa për veprat e tjera penale për ryshfet, afati është më i gjatë. Nëse ka vjetërsim për këto vepra penale, prokurori nuk do të ndërmerrte asnjë veprim,” tha Kocevski.
Ndryshe, më herët nga Ministria e Brendshme konfirmuan aksionin në kuadër të hetimeve të zgjeruara për rastin e Koçanit.




