Koalicioni qeverisës në Kosovë, LDK-ja nuk heq dorë nga posti i presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon të insistojë në balancim të pushtetit në kuadër të marrëveshjes bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje.

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të LDK-së, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa i bëri thirrje partnerit të mundshëm qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje që të lexojë qartë rezultatin e procesit zgjedhor të 6 tetorit dhe të ndajnë përgjegjësitë në mënyrë të barabartë, duke aluduar në postin e presidentit.

Edhe pse tha se ka vullnet për bashkëqeverisje me VV-në, Mustafa u shpreh se LDK më së paku ka nevojë për presion publik dhe mediatik gjatë procesit marrëveshjes finale.

Në jubileun e 30-të të formimit të LDK-së, Mustafa kërkoi zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të kësaj partie, ku tha se ndriçimi i këtyre rasteve është borxh dhe detyrim për të ardhmen e Kosovës.

Kreu i LDK-së njëherësh bëri thirrje edhe për unitet brenda partisë, dhe tha se gjitha ambiciet personale duhet të tejkalohen.