Klubi Wuhan Zall pas tre muajve sfidë kthehet në qytetin e vet, aty ku nisi koronavirusi

Wuhan Zall, klubi i Superligës së Kinës në futboll nga epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ka bërë rikthimin emocional në qytetin e vet pas më tepër se tre muaj larg vendit, shkruan agjencia AFP.

Klubi Zall ka pasur një periudhë të vështirë 104 ditore larg qytetit – ku ishte ngujuar në Spanjë – pasi qyteti i Wuhanit u izolua në janar kur virusi la të vdekur mijëra persona dhe infektoi shumë tjerë.

Qyteti ka ulur së fundi masat kufizuese disa javore, ndërsa qindra tifozë kanë takuar futbollistët e Wuhan Zallit kur ata arritën në stacionin e trenit në orët e vonshme të së shtunës.

Me maska, lojtarët kishin buqeta me lule në duart e tyre, ndërsa tifozë të veshur me ngjyra portokalli këndonin dhe mbanin pankarta.

“Pas më tepër se tre muaj duke bredhur, anëtarët e Wuhan Zall më në fund kanë shkelur në qytetin e tyre”, ka shkruar klubi në faqen e vet në Weibo.

Skuadra, e drejtuar nga trajneri spanjoll Jose Gonzalez, do të kalojë pak ditë në shtëpi para se t’i kthehet stërvitjeve të mërkurën.

“Lojtarët vendor do të bashkohen me familjet e tyre, të cilat nuk i kanë parë për më tepër se tre muaj”, është thënë në komunikatë nga Zall, klub që përfundoi në vend të gjashtë në Superligën e Kinës stinorin e kaluar. “Klubi është falënderues për përkrahjen dhe kuptimin nga familjet e lojtarëve”.

Rikthimi i skuadrës në shtëpi është kapitulli i fundit në këtë sagë të gjatë. Skuadra nisi stërvitjet për stinorin e ri në Superligën e Kinës, stinor që është shtyrë, në fillim të janarit në qytetin jugor Guangzhou. Më pas fluturoi për në Malaga në Spanjë në fund të janarit, ndërsa në atë kohë qyteti i Wuhanit dhe 11 milionë banorët e vet u izoluan për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

“Ata nuk janë virusë që po ecin, por janë sportistë”, ka thënë Gonzalez për mediumet spanjolle në atë kohë, duke bërë thirrje që të mos shënjestrohen lojtarët.

Por, kur virusi nisi të merrte hovin në Spanjë në mars, Wuhan Zall bëri aranzhimet për t’u kthyer në Kinë, ku numri i infeksioneve kishte rënë. Wuhani prapë ishte i izoluar kështu që skuadra, nëpërmjet një fluturimi të gjatë, arriti në qytetin jugor të Kinës, Shenzhen më 16 mars.

Skuadra u fut në karantinë trijavore, pasuar nga stërvitjet në qytetin fqinj Foshan, para se të merrte një tren të shpejtësisë së madhe nga Guangzhou për t’u kthyer në Wuhan të shtunën pasdite. Wuhan Zall po përgatitet për një stinor që ende nuk ka një datë se kur do të nisë. Superliga e Kinës në futboll ishte paraparë të niste më 22 shkurt, por pritet të nisë tash në qershor.

Qeveria e Kinës ka thënë se ka frenuar konronavirusit në vend, por të premten pranoi për gabimet në numrin e të vdekurve në Wuhan duke e rritur shifrën për 50 për qind, në 3869.