Klopp i brengosur që merkato në Arabinë Saudite mbyllet më vonë

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp thotë që nuk është mirë që merkato verore është tre javë më e gjatë në Arabinë Saudite se sa në Evropë.
Afati i fundit i klubeve evropiane për të kryer transferime këtë verë është 1 shtatori, ndërsa në Arabinë Saudite është data 20 shtator, raporton lajmi.net.

Kjo gjë nënkupton se klubet saudite mund të vazhdojnë transferimet e profilit të lartë të lojtarëve, ndërsa klubet evropiane jo.

“Është masive, momentalisht”, tha Klopp për ndikimin e Arabisë Saudite në merkato.

“Sigurisht, gjëja më e keqe është se merkato në Arabinë Saudite është tre javë më e gjatë. Nëse e kam mirë, kam dëgjuar diçka të tillë, atëherë në Evropë kjo nuk ndihmon. UEFA ose FIFA duhen të gjejnë zgjidhje për këtë gjë. Por në fund, në këtë moment, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë saktësisht”, shtoi më tej Klopp.

Liverpooli veçse është ndikuar nga fakti i lojtarëve që po kalojnë në Arabinë Saudite, me Firminon që nënshkroi me Al Ahlin, Jordan Henderson që iu bashkua Al Ettifaq dhe Fabinho që u transferua te Al Ittihad.