Klodian Braho mori këtë të hënë, 22 dhjetor drejtimin e SPAK. Altin Dumani i dorëzon detyrën kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë fjalës së tij Braho falenderoi Krajën dhe Dumanin për punën e tyre me përgjegjësi dhe integritet. Teksa shtoi se misioni i tij në këtë mandat 3-vjeçar në krye të SPAK do të vazhdojë të mbetet respektimi i ligjit me rigorozitet, duke përforcuar bashkëpunimin me BKH-në për hetime për cilësore.
Në fund Braho u shpreh se misioni i SPAK është më i rëndësishëm se sa një mandat individual.
“Së pari shpreh falenderimin tim për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vlerësimin e treguar, suke më përzgjedhur në pozicionin aq të rëndësishëm të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Marrja e detyrës më shumë se sa një angazhim simbolik është një detyrë për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë SPAK po forcohet si një strukturë solide, e ndjekjes penale.
Dëshiroj që të vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja për kontributet e tij në vendosjen e gurëve të parë të institucionit, për të marrë formën që ka marrë sot, si dhe zotin Dumani për guximin dhe integritetin e tij duke forcuar profilin e SPAK dhe duke rritur besimin e publikut. Në ushtrimin e kësaj detyre fokusi im, siç e kam përmendur edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të mbetet funksionimi i brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës.
Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Hetimi Financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Bashkëpunimi i bazuar në respektimin reciprok të prokurorëve dhe të hetuesve do të vijojë që të forcohet, duke ofruar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë që të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun, duke respektuar kornizën ligjore. Të nderuar koleg misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë mendoj që jemi në skuadër dhe të punojmë krah përkrah me përkushtim në zotimin ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Braho.
Klodian Braho është zgjedhur në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) gjatë seancës maratonë të 11 dhjetorit.
Klodian Braho u votua nga 7 anëtarë të KLP-së, duke siguruar shumicën e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit. Në garë ishin pesë kandidatë. Përveç Brahos, kandiduan edhe Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Nga votimi përfundimtar, tre anëtarë të KLP-së mbështetën Adnan Xholin, një votë shkoi për Elvin Gokajn, ndërsa asnjë votë nuk u dha për Doloreza Musabelliun.




