”Unë ndonjëherë grumbulloj 1000 denarë por ato 1000 denarë nuk më dalin për gjithë ditën. Harxhohen menjëherë aq para”, tha një lypsar.
Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, së fundmi është shndërruar në strofull lypsarësh. Këtij lypsari i cili kërkon lëmoshë nga pacientët e klinikës, thotë se nuk i mjaftojnë 1000 denarë në ditë. Në hyrje të klinikes ka disa të tillë që të paret presin pacientet.
Sipas qytetarëve, institucionet duhet patjetër të marrin masa, sidomos për personat që kërkojnë lëmoshë në oborrin e Qendrës Klinike.
”Në ç’do semafor ka lypsar por edhe këtu në klinikë ka në ç’do cep. U pengon kjo? Mua nuk me pengon por nuk duhet ashtu të jetë”, tha një qytetar.
”Në ç’do vend është ajo dukuri jo vetëm këtu. Në Bit Pazar, e në ambulantë. A duhet institucionet të marrin masa? Po, patjetër duhet”, tha një tjetër qytetar.
Ilija Jovanoviq nga shoqata Ndërtojmë të ardhmen thotë se vetëm në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, ka rreth 100 lypsarë.
– Një numër i madh i lypsarëve është paraqitur në të gjitha shtëpitë e shëndetit. Duke filluar nga fëmijë, prind me fëmijë dhe më të rritur të cilët i vendosin në situatë rreziku qytetarët dhe pacientët të cilët kanë probleme shëndetësorë dhe në vend që të zgjidhin problemin e tyre ata ballafaqohen edhe me probleme tjera në oborrin e klinikës siç është rasti me lypsarët”, u shpreh Ilija Jovanoviq – Shoqata “Ndërtojmë të Ardhmen”.
Nga Shoqata “Ndërtojmë të Ardhmen” kërkojnë nga institucionet që të merren më seriozisht me këtë çështje. Sipas Jovanoviqit, disa qytetarë kanë denoncuar në shoqatë se janë përballur edhe me situata jo të mira kur pacientët nuk u kanë dhënë lëmoshë lypsarëve. Nga MPB thonë se po ndërmerren masa dhe aktivitete kundër kësaj dukurie./Alsat.mk



