Kishin planifikuar dasmë private pas karantinës, çfarë po ndodh mes Stresit dhe Keisit?

Çifti i njohur dhe më i preferuar i publikut, Arkimed Lushaj (Stresi) dhe partnerja e tij Keisi janë vendosur sërish në qendër të vëmendjes, edhe pse u fol se ishin në ditët më të mira të lidhjes. Pasi e kaluan karantinën në distancë, duke qenë se Stresi jeton në Tiranë dhe Kejsi në Kanada ku ndjek studimet, disa deklarata të papritura kanë ardhur nga Keisi në rrjetet sociale, të cilat kanë lënë të kuptohet se është mërzitur me reperin dhe mund të jenë në një krizë.

“Nëse tradhton dikë që është i gatshëm të bëjë gjithçka për ju, ju në të vërtetë keni tradhtuar veten nga besnikëria e vërtetë”, shkroi ajo në një postim në “Instagram”. Menjëherë pas kësaj, Keisi zhvilloi një miniintervistë me ndjekësit në rrjetin social “Instagram”, duke i shtuar akoma më shumë dyshimet.

Ajo u shpreh se pasi të hapen kufijtë do të udhëtojë drejt Amerikës për të takuar një shoqe, ndërkohë që Keisi duhej të kthehej në Shqipëri ku ndodhet edhe Stresi, duke u shprehur se “s’ka ç’të bëjë në Shqipëri”.

Keisi gjithashtu hodhi disa kunja, që mediat ia adresuan atij në pyetjet që i drejtuan ndjekësit.

“A mendon se njerëzit përfitojnë nga mirësia e një njeriu?”, e pyeti një prej tyre. “Normalisht, por gjithsecili tregon veten e vet. Një person nuk duhet të heqë dorë nga virtytet e mira, sepse të tjerët nuk dinë t’i vlerësojnë”, u përgjigj ajo.

Ndërsa një tjetër i shkroi: “Çfarë të lëndon më tepër në jetë?”

“Njerëz që të zhgënjejnë pa fund dhe pa mëshirë”, shtoi Keisi.

Ndërkohë shihet se ata e kanë fshirë tashmë njëri-tjetrin nga lista e miqve në “Instagram”, vetëm disa ditë pasi Stresi deklaroi se ata ishin në ditët më të mira si çift dhe madje po i qëndronin idesë për ceremoni private dasme kur t’i vinte momenti pas pandemisë dhe madje një fëmijë, që Stresi shprehu dëshirën të ishte djalë dhe t’i ngjante atij.

Sa i përket jetës profesionale, Stresi është në kulmin e suksesit me klipin “Loco”, që u shndërrua në hit dhe kryeson toplistat muzikore, por edhe me klipin tjetër të kategorizuar si +18 dhe që u bllokua në “Youtube” nga Drejtoria e Policisë, për shkak të raportimeve që ishin bërë duke u ankuar për fjalor të papranueshëm dhe dhunë në skenat e tij. Gjithsesi, edhe kjo këngë u shndërrua në hit.

MARTESA NË DISTANCË E STRESIT ME KEISIN DHE RIBASHKIMET PAS ZËNKAVE DHE PAJTIMEVE

Duke pasur parasysh situatat dhe keqkuptimet e një lidhjeje në distancë si ajo e Stresit me Keisin, mund të themi se ata mund të kenë një rikthim tjetër. Kujtojmë që një situatë e ngjashme u krijua pak kohë më parë, kur skeçi mes Arkimed Lushajt (Stresit) dhe Roza Latit e bëri partneren e reperit, Keisin jo vetëm të ndihej keq, por dhe të reagonte e të jepte një sinjal më shumë për lidhjen e tyre.

Ndonëse në media u përfol për ndarje të mundshme mes çiftit pas reagimint që Keisi pati nëpërmjet një postimi në “Instagram”, ku akuzoi prezantuesen për mungesë idesh, ajo u shpreh ndër të tjera se videoja e fyente atë si bashkëshorte e Stresit. Atë ditë, Roza zgjodhi të mos reagonte, megjithatë një ditë më vonë bëri sqarimin e saj. Ajo tha se për skeçin në fjalë,  Stresi kishte rënë dakord me të dhe se e respektonte Keisin vetëm prej tij. Fjalëve të Rozës iu përgjigj edhe Kejisi, e cila tha se nuk ka ndërmend ta zgjasë muhabetin, por do ta lërë me aq.

Skeçi i Roza Latit në emisionin e saj risolli arrestimin e bujshëm të Stresit, ku u tha se u kap në shtrat me një femër, gjë që e acaroi Keisin. Në skeçin e titulluar “Si ta bëjmë mizën balenë”, Roza i futej në shtrat reperit dhe bëri rolin e një fanseje që ky i fundit nuk e njihte. Më pas aty erdhi Policia dhe arrestoi Stresin, ndërsa moderatorja fillon e bërtet: “Më ka përdhunuar. Jam e bindur se më ka lënë shtatzënë”.

Por duket se kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga Keisi, e cila reagoi në një postim në “Instagram”, ku shprehej se prezantuesja kishte cenuar jetën e saj private dhe se po tallej me vuajtjen e saj.

“Nëse të janë tharë idetë dhe të duhet patjetër të tërheqësh vëmendje, ke shumë mënyra pa rënë në këtë nivel. Sepse të tallesh me eksperiencat, vuajtjet dhe hallet e të tjerëve nuk është për të qeshur”, shkruante Keisi duke theksuar faktin që ajo është “gruaja e Stresit” dhe jo “shoqja”, ndaj në këtë rast duhet pasur kujdes.

Keisi dhe Stresi u ndanë pak kohë më parë nga njëritjetri dhe e kishin lënë të hapur mundësinë për rikthim. Stresi pas kësaj i dërgoi një mesazh Keisit, duke e pyetur pse u mërzit kur nga ky emision ajo doli e nderuar? “Pse mërziteni? Ju keni dalë të nderuar nga ky emision. Dhe unë gjithashtu kam dalë shumë i pastër nga kjo ironi. Show është show”, shtoi reperi.

RRËFIMI I STRESIT PARA PAK DITËSH: NGA EKSPERIENCAT E MIA NË TË GJITHË BOTËN, S’KAM PARË ENDE NJË VAJZË SI KEISI

Në lidhje me Keisin pak ditë më parë, Stresi, u shpreh: “Që t’i biem shkurt… Jemi më mirë se kurrë”. E keni ende në plan ceremoninë e dasmës?

“Po, por do t’i vijë momenti dhe atij momenti”, tha ai duke sqaruar se klipi “Zemrën maje”, ku shfaqej i vetëm në Itali, i dedikohej Keisit 100 për qind.

Po si iu përgjigj Stresi pyetjes: “Na thuaj pak pse të pëlqen kaq shumë ajo vajzë?

“Nga eksperienca ime me çfarë kam kaluar e me ç’kam parë në jetë si në Shqipëri, Europë, Azi e kudo në botë, pra me ndodhitë e jetës, unë nuk kam parë akoma një si ajo. Dhe prandaj e vlerësoj”.

Ndërsa kohë më parë, në emisionin “E diell”, tregoi sakrificat që ka bërë për të duke rrëfyer se ndërroi identitet për të udhëtuar drejt saj.

“Për dashurinë kam ndërruar identitet. Ikëm në Amerikë në koncert dhe u kthyem në Shqipëri para 3 vitesh. Po kërkoja vizë për Kanada, më refuzohet se kisha një rekord dhe ndërrova identitet. Mora identitet francez dhe i hipa avionit. Vajza për të cilën e bëra këtë është Kejisi”, u shpreh ai.

Stresi gjithashtu zbuloi tipare të Keisit, duke thënë se ajo është ekstrem xheloze dhe se nuk i pëlqen kur reperi fik telefonin.

“Kjo mund të zgjasë gjithë jetën për mediat dhe njerëzit të mirë dhe të këqij që keqinterpretojnë. Mes ne të dyve është e paparashikueshme. Nuk është se është vajza, por jam unë i paparashikueshëm. Tek unë nuk i pëlqen fikja telefonit. Ishte, është, ka qenë xheloze 760 gradë. Shoqërinë time nuk e do fare. Vlerësoj tek ajo faktin që bën shumë pas meje, është shumë femër shtëpiake, nga a-zh i përkushtohet njeriut që ka afër. Është brenda normave për të qenë krenar qe ke një vajzë të tillë, momentalisht nuk e kam. Por ka vetitë më të mira që mund të ketë një femër”, rrëfeu reperi.

Ndërsa pyetjes se kë do zgjidhte mes dashurisë apo shoqërisë, u përgjigj: “Normal që do zgjidhja Keisin. Shokët i kam shtrydh, më kanë shtrydh si limon, është pozicion tjetër. Kur të vijë ai rast do të zgjedh Keisin”.

Kujtojmë që marrëdhënia e reperit Arkimed Lushaj (Stresi) me partneren e tij Keisin ka qenë prej muajsh një ndër lidhjet më të komentuara të showbizzit shqiptar. Ndarjet e ribashkimet e tyre janë përfolur gjatë në media. Teksa Stresi merret me muzikë në Shqipëri, Keisi vazhdon jetën e saj në Kanada, ku ndjek studimet e larta. Para disa javësh ajo na futi të gjithëve në dyshime me një foto të publikuar në llogarinë e saj në “Instagram”, ku shfaqej me unazën që i kishte dhuruar Stresi, të cilën e mbante ende në gisht.

“Se një femër duron shumë”, shkruante Keisi, fjalë të cilat na bënë të mendojmë se kishte shpresë për të dy, duke hedhur pas krahëve gjithë hatërmbetjet apo mëritë. Si gjithmonë, s’ka vonuar shumë dhe një reagim i Stresit në llogarinë e tij në “Instagram”.

Ai ka publikuar fjalët e këngës së tij të re, e cila ishte një dedikim për Keisin.

“Thonë se dashuria është një lojë e humbur, unë besova n’dashuri kur isha adoleshent shumë i humbur… T’ harrosh dikë që e ke dasht është njësoj sikur mos me e pas njoft asiherë”, ishin fjalët e Stresit, për të cilat u pendua dhe i kishte fshirë, megjithatë portalet i ruajtën. Le të shohim nëse do të kemi një tjetër pajtim të çiftit, duke qenë se kanë edhe ndikimin e fortë dhe pozitiv të nënës së reperit, e cila e do shumë Keisin si nusen e djalit./Panoramaplus.al