Vite me radhë kisha Shën “Konstatini dhe Elena” në Qendrën e Shkupit qëndron e pa përfunduar dhe nuk dihet se çfarë do të ndodh më tej me këtë objekt. Ndërtimin e kësaj kishe e filloi Fondacioni Shën “Mbreti Konstatin”, por për shkak se kishin problem me borxhe, ata hoqën dorë.
“Në nëntor të vitit 2012 këtu para Shtëpisë së Armatës filloi ndërtimi i Kishës Shën Konstatini dhe Elena. Kisha duhej të përfundonte për tre vjet, megjithatë edhe sot e kësaj dite objekti është i rrethuar dhe nuk ka paralajmërime se punimet do të vazhdojnë”, raporton gazetarja e TV21, Svetllana Unkovska.
Në shtator të vitit të kaluar drejtorja e spitalit Remedika, Elica Jordanova, e cila është bashkëshortja e biznesmenit Minço Jordanov, e mori objektin e kishës si dhe borxhet prej rreth 4.5 milion eurove që janë bërë ndaj kompanisë Beton, e cila ka realizuar punët ndërtimore. Jordanova për TV21 thotë se të gjitha obligimet janë të Kishës ortodokse maqedonase.
“Kisha është e kishës dhe ajo do të paguaj në këste dhe do të ndërmarrin obligimet dhe gjithçka që duhet në lidhje me të. Tani po vijon, ashtu është dakorduar që kur e kam marrë unë, ata të vazhdojnë me punët, përkatësisht ta përfundojnë. 10 vjet Beton kërkon që të paguhen për atë që ka punuar, por kontraktuesit dhe nënkontraktuesit janë paditur dhe kanë fituar, ndërsa Betoni mbeti në borxhe”, deklaroi Jordanova.
Deri më tani asnjë kryetar i Qytetit të Shkupit nuk është angazhuar që të lëviz punët nga pika zero. Për këtë kërkuam qëndrim edhe nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, por nuk morëm përgjigje. Ndërtimin e kishës e ndjekin polemika, së pari përmes shitjes së tokës shtetërore që KOM e ka blerë me çmim prej 1800 denarëve për metër katror, më pas përmes tubimeve të mbajtura të biznesmenëve por edhe bankarëve, prej të cilëve u kërkua që të dhurojnë mjete dhe në këtë mënyrë të financohet ndërtimi. U mbajtën tre konferenca për donacione të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, ku u mblodhën rreth 2 milion euro.