Kinë, rritet në 304 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Ka arritur në 304 numri i personave të vdekur ndërsa në 14.380 i të prekurve nga koronavirusi i ri (2019-nCoV) në Kinë.

Në një deklaratë nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) në Kinë thuhet se nga epidemia 2019-nCoV që është efektiv në të gjithë vendin kanë humbur jetën 304 persona ndërsa janë prekur 14.380 të tjerë nga të cilët 2.110 në gjendje të rëndë.

Bashkë me këtë është rritur në 19.544 numri i personave për të cilët dyshohet se janë të prekur nga virusi. Ndërkohë që nën mbikëqyrje janë vendosur 137.594 persona dhe se deri më sot 328 persona kanë marrë trajtim dhe kanë dalë nga spitali.

NHC bëri të ditur se trupat e të vdekurve nga epidemia e koronavirusit do të digjen në krematoriumet që ndodhen pranë spitalit.

Përveç territorit të Kinës thuhet se 21 persona janë të prekur nga virusi në rajonet administrative speciale të Kinës, prej të cilëve 14 në Hong Kong dhe 7 në Macau.

Në 24 orët e fundit, 45 të vdekur dhe mbi 2.000 raste të reja

NHC ka njoftuar se për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit në vend kanë vdekur 45 persona ndërsa janë konstatuar 2.102 raste të reja të infektimit nga koronavirusi i ri.

Në rajonin Hubei, i cili është epiqendra e koronavirusit, thuhet se 294 persona kanë vdekur ndërsa numri i rasteve të përcaktuara me virus është 9.074.

Për shkak të përhapjes së koronavirusit, në rajonin Hubei pushimet e pranverës janë zgjatur deri më 13 shkurt.

Përveç Kinës, në të gjithë botën raste të koronavirusit janë regjistruar tek 20 persona në Japoni, 19 në Tajlandë, 16 në Singapor, 12 në Korenë e Jugut, 9 në Australi, 8 në Malajzi, Gjermani dhe SHBA, 6 në Francë dhe Vietnam, 4 raste në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kanada, nga 2 në Britani, Rusi dhe Itali, si dhe nga një rast në Nepal, Kamboxhia, Sri Lanka, Indi, Filipine, Finlandë, Spanjë dhe Suedi.

Epidemia e koronavirusit të ri

Lloji i koronavirusit të ri për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan më 12 dhjetor 2019. Komisioni shëndetësor në Wuhan më 31 dhjetor njoftoi se edhe tek 27 persona të tjerë që kanë patur kontakte me tregun e prodhimeve detare Huanan në qytet është vërejtur “sëmundja misterioze” dhe më pas mbylli tregun.

Simptomat e para të virusit nCoV janë temperaturë e lartë, dhimbje fyti, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe diarre ndërsa në fazën e mëpasshme të avancuar shkakton penumoni dhe pamjaftueshmëri të veshkave dhe në përfundim mund të çojë në vdekje.