Kinë, pikat turistike rihapen për turistët gjatë epidemisë së koronavirusit

Ditët e fundit në shumë krahina kineze nuk është raportuar shtimi i numrit të të prekurve nga koronavirusi i ri dhe shumë pika turistike po rihapen gradualisht për publikun.

Sektori i turizmit në Kinë hyri në “dimrin e ashpër” gjatë epidemisë së koronavirusit të ri.

Z. Hu punon në degën e turizmit në Guangxi. Ai tha se kompania e tij u godit rëndë nga epidemia e papritur:

“Humbjet e drejtpërdrejta, përfshirë pagat për grupin e Valles së Luanit për Festën e Pranverës, janë afro 8 milionë juanë, ndërsa ato jo të drejtpërdrejta, që janë kryesisht nga të ardhurat nga bileta, arrijnë në 30 milionë juanë. Pra, humbjet e përgjithshme gjatë Festës së Pranverës ishin afro 40 milionë juanë.”

Për të ndihmuar rimëkëmbjen e turizmit, organet e pushtetit vendor kanë marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që të sigurojnë rihapjen e pikave turistike për publikun.

Autoritetet e provincës Guizhou kanë lejuar hapjen e pikave turistike për grupe turistësh, për të shmangur grumbullimet.

Në provincën Jiangsu, pikat turistike janë pajisur me termometër dhe kabina dezinfektimi. Turistët, të drejtuar nga dronat, mund të regjistrohen e të blejnë bileta në internet.

Pika turistike në malin Jiuhua të provincës Anhui u rihap, por e ka kufizuar numrin e përgjithshëm të turistëve deri në jo më shumë se 10 mijë në ditë.

Sun Leimin, drejtori i një kompanie të transportit të udhëtarëve në malin Jiuhua, shprehet:

“Kompania jonë u kërkon turistëve të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit kur radhiten për kontrollin e biletave. Në autobus ata duhet të mos ulen pranë njëri-tjetrit. Ndërsa numri i udhëtarëve në autobus nuk mund t’i kalojë 50 % të kapacitetit të tij.”

Megjithatë, eksperti mjekësor Zhang Wenhong nga spitali “Huashan” i Shangait i paralajmëron banorët në mbarë vendin të jenë vigjilentë lidhur me përhapjen e koronavirusit:

“Në këtë moment, nuk u sugjeroj qytetarëve të shkojnë jashtë dhe të argëtohen kudo, dhe duhet të shmangim veprimtaritë jo të domosdoshme jashtë shtëpisë. Mendoj se më mirë të qëndrojmë në shtëpi e të lexojmë e punojmë aty.” (Wang Lei)