Autoritetet shëndetësore kineze bënë të ditur të mërkurën se deri në mesnatën e 21 janarit, në 13 njësi administrative të nivelit provincial janë konfirmuar 440 raste të prekuara me pneumoni dhe 9 të vdekur.
Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Higjienës të Kinës Li Bin, i tha këto në një konferencë shtypi të organizuar në Pekin.
Sipas tij, numri i rasteve me koronavirus është ngritur shpejt në kohët e fundit, gjë që lidhet me thellimin e vazhdueshëm të të kuptuarit të sëmundjes, përmirësimin e metodave diagnostikuese, optimizimin dhe shpërndarjen e reagentëve diagnostikues në mbarë vendin, të cilat ndihmuan në shpejtimin e konfirmimit të të infektuarve.
“Epidemia kryesisht transmetohet përmes traktit frymëmarrës. Virusi mund të ndryshojë formë dhe rrezikohet të përhapet më gjerë”, shtoi ai.
Raportimi për të infektuarin e parë u bë në fund të dhjetorit të vitit të kaluar në qytetin Wuhan të Kinës Qendrore. Më 8 janar, u konfirmua se një lloj i ri koronavirusi është arsyeja e epidemisë dhe Kina i ka bërë menjëherë të ditur OBSh-së renditjen gjenetike të koronavirusit pasi përvetësoi.
Siç mësohet, sot Kina do të marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit të Emergjencës të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit për të krijuar bashkëpunim më të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar për studimin, parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së epidemisë.