Kina u kërkon bizneseve të rifillojnë funksionimin e rregullt

Qeveria kineze u ka kërkuar bizneseve jashtë provincës Hubei që të rifillojnë funksionimin e rregullt të tyre.

Autoritetet i kanë nxitur bizneset të përdorin punën me turne dhe mënyra të tjera për të zvogëluar numrin e stafit në zyrë, ndërsa ende vazhdojnë prodhimin.

Në një mbledhje të nivelit të lartë të drejtuar nga kryeministri Li Keqiang u theksua se duhet të merren masa për të shtuar shtretërit spitalorë dhe stafin mjekësor në Hubei, për kontrollin e epidemisë.

Ndërkohë, Ministria e Financave u ka kërkuar autoriteteve vendore të marrin masa të forta për të mbështetur ndërmarrjet kryesore që prodhojnë pajisje mjekësore.

Ajo u ka bërë thirrje departamenteve financiare vendore të zbatojnë politikat mbështetëse të shpallura nga autoritetet qendrore, duke përfshirë përkrahjen financiare, politikat preferenciale tatimore dhe sigurimet shoqërore. (A. Goga)