Sesioni i parë plenar i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (parlamenti) filloi të dielën në Pekin me pjesëmarrjen e gati 3 000 deputetëve nga mbarë vendit
Kina synon një rritje ekonomike rreth 5 % për vitin 2023, tha kryeministri Li Keqiang në raportin e punës së qeverisë, që do të diskutohet nga organi më i lartë ligjvënës, Asambleja Kombëtare Popullore.
Kryeministri kinez vuri në dukje në raport se, vitin e kaluar, para goditjeve nga faktorë të shumtë të papritur, të tillë si epidemia etj., qeveria e Kinës, nëpërmjet zbatimit të politikave e masave të vendosura, realizoi stabilizimin e rritjes ekonomike, të punësimit e të çmimeve.
Vjet PBB-ja e Kinës u rrit me 3 %, norma e papunësisë urbane e anketuar ra në 5.5 % në fund të vitit dhe treguesi i çmimeve të konsumit u rrit me 2 %. Import-eksporti i përgjithshëm i mallrave u rrit me 7.7 %, deficiti fiskal u mbajt në kontroll në 2.8 % dhe të ardhurat e shpenzimet e qeverisë qendrore ishin në përputhje me buxhetin, me një balancë të vogël nga shpenzimet. Norma e shkëmbimit të RMB-së ishte relativisht e qëndrueshme ndër monedhat kryesore të botës. Prodhimi i drithërave arriti në 685 miliardë kilogramë
Gjatë vitit 2023 do intensifikohet ndërtimi i sistemit industrial modern, mbështetja e zhvillimit të ekonomisë private, tërheqja dhe shfrytëzimi i më shumë investimeve të huaja, parandalimi i rreziqeve të mëdha ekonomiko-financiare, stabilizimi i prodhimit të drithërave, nxitja dhe rigjallërimi i zonave rurale, transformimi i gjelbër i zhvillimit etj
Më konkretisht, objektivat kryesorë për vitin 2023 janë: rritja 5 % e PBB-së, shtimi i 12 milionë vendeve të reja të punës, një normë prej 5.5 % e papunësisë së anketuar në zonat urbane, rritja afro 3 % e CPI-së, ruajtja e të njëjtit ritëm shtimi të të ardhurave të banorëve me atë të rritjes ekonomike, ngritja e cilësisë dhe e qëndrueshmërisë të import-eksportit, mbajtja e ekuilibrit të bilancit ndërkombëtar të pagesave, ruajtja e nivelit të prodhimit të drithërave prej 650 miliardë kilogramë, ulja e vazhdueshme e konsumit energjetik dhe e lëshimit të lëndëve kryesore ndotëse për njësi të PBB-së, kontrolli i përdorimit të energjive fosile dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit ekologjik
Lidhur me punët e jashtme, Li Keqiang theksoi se Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe do të ecë me vendosmëri mbi rrugën e zhvillimit paqësor.
Kina i përmbahet zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me vendet e tjera në bazë të Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe zbaton me vendosmëri një strategji të hapur me përfitime të ndërsjella.




