Kina përballet me shpërthim të ri të korona virusit

Kina po përballet me një prej shpërthimeve më të rrezikshme të koronavirusit, meqë autoritetet shëndetësore kanë thënë se dhjetëra persona kanë rezultuar pozitiv në provincën Hebei, afër kryeqytetit Pekin.

Ministria kineze e Shëndetësisë ka thënë se në Hebei janë raportuar 82 raste të reja lokale më 10 janar.

Shqetësimet për shpërthime të reja kanë ardhur teksa Kina ka injoruar 11 janarin, përvjetorin e parë të vdekjes së parë në Vuhan, të shkaktuar nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Një vit më parë, mediat kineze kanë raportuar për vdekjen e një 61-vjeçari nga një virus i panjohur.

Burri është thënë se ka vizituar një treg të kafshëve në Vuhan, ku ka shpërthyer fillimisht virusi, ndonëse kushtet ende janë të paqarta.

Vuhani i është kthyer normalitetit pas disa javëve të izolimit të plotë në fillim të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, me koronavirus deri më tani janë infektuar mbi 90 milionë persona dhe 1.9 milion pacientë kanë vdekur.

Numri i vërtetë i të infektuarve në nivel global besohet se është shumë më i madh.

Kina është kritikuar për mënyrën sesi ka menaxhuar koronavirusin, duke përfshirë tentimet për të heshtur dëshmitarët si dhe për dështim të raportimit të rasteve të infektimit në janar të vitit të kaluar.

Megjithatë, ky vend konsiderohet se ka arritur të mposhtë virusin, ndërkohë që shumë shtete përballen me shifra të pakontrollueshme.