Kina nxit komunitetin ndërkombëtar t’i përmbahet parimit të ‘Një Kine’

Autoritetet e pjesës kontinentale të Kinës shprehën kundërshtim ndaj çdo forme lidhjeje zyrtare midis ishullit të Tajvanit dhe vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën.

Ministria kineze e Punëve të Jashtme e bëri këtë deklaratë pasi zyrtarët e disa vendeve, duke përfshirë ShBA-në, Britaninë dhe Japoninë, e uruan kryetaren e Partisë Demokratike Progresive Tsai Ing-wen mbi fitoren në zgjedhjet në Tajvan.

Sipas deklaratës, këto vende kanë shkelur parimin e “një Kine”, sepse zgjedhjet janë punë e brendshme e Kinës.

“Pavarësisht ndryshimit të gjendjes në ishullin e Tajvanit, kjo nuk do të ndryshojë aspak faktet e thjeshta se, në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Qeveria kineze i përmbahet parimit të ‘Një Kine’, kundërshton qëndrimet për ‘pavarësinë e Tajvanit’, ‘dy Kina’ apo ‘Një Kinë, një Tajvan’. Ne shpresojmë dhe jemi bindur se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë të ndjekë parimin e ‘Një Kine’, të mirëkuptojë dhe të përkrahë kauzën e drejtë të popullit kinez kundër ‘pavarësisë së Tajvanit’ për të realizuar bashkimin përfundimtar të vendit”, shprehu zëdhënësi Geng Shuang po të dielën në përgjigje të pyetjes mbi rezultatet zgjedhore në rajonin e Tajvanit.

Edhe Ma Xiaoguang, zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit, e ritheksoi këtë qëndrim. Sipas tij, pjesa kontinentale ndjek parimin e ribashkimit paqësor dhe politikën “Një vend, dy sisteme”, duke kundërshtuar çdo veprim separatist.

Ai shtoi se pjesa kontinentale është e gatshme të punojë me autoritetet tajvaneze për të nxitur zhvillimin paqësor të marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës.

Të shtunën, kandidatja e Partisë Demokratike Progresive Tsai Ing-wen fitoi zgjedhjet në Tajvan.