Kina njofton për dy ilaçe kundër koronavorusit, OBSH mohon, Pekini ndalon darkat në grup

Një ekip studiuesish nga Universiteti Zhejiang ka zbuluar dy ilaçe efektive kundër koronavirusit. Lajmi u dha nga TV Kineze CGN, sipas të cilit testet paraprake zbuluan se dy ilaçe, Abidol dhe Darunavir , janë në gjendje të neutralizojnë virusin.

Drejtuesi i ekipit ishte Li Lanjuan, një epidemiolog i mirënjohur kinez, i angazhuar në luftën kundër sëmundjes së re.

Studiuesi solli personel mjekësor nga provinca Zhejiang në provincën qendrore të Hubei, ku u përhap virusi, me qëllim zhvillimin e trajtimit për pacientët.

Lanjuan, nga ana tjetër, e konsideron Kelizhin, një ilaç anti-HIV që aktualisht përdoret për të luftuar sëmundjen, si joefikas, dhe thekson se ai gjithashtu ka efekte anësore.

Prandaj rekomandon që të përfshihen dy ilaçet e identifikuara në programin e Komisionit Kombëtar të Shëndetit për trajtimin e pacientëve të infektuar.

Sidoqoftë, eksperti i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos dhe drejtues i spitalit Sacco, Massimo Galli, ngrin entuziazmin, duke thënë se një kurë për koronavirusin është ende larg.

“Ne jemi duke punuar me ilaçe të njohura, por testet in vitro nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë ndonjë përfundim. Në një situatë kaq kritike, duhet të punosh me ato që ke.”

Edhe Organizata Botërore e Shëndetit në një reagim tha se “nuk ka njohuri të terapive efektive kundër këtij 2019-nCoV”.

Pekini ndalon darkat në grup-Pekini, ndërkohë, ka ndaluar darkat në grup dhe mbajtjen e aktiviteteve për shkak të koronavirusit. Urdhëri “i detyrueshëm” ndalon “operatorët e hotelierisë, duke përfshirë restorantet, të organizojnë darka në grup gjatë fazës së parandalimit dhe kontrollit të epidemisë”.

Pekini është qyteti i fundit që ka marrë një masë të tillë pasi virusi preku dy rrethe të Wuhan në një shkallë të madhe për shkak të pjesëmarrjes së mijëra njerëzve në një banket të madh.