Kina konfirmon se virusi i ri është ngjitës

Ekspertët kinez të shëndetësisë kanë konfirmuar se virusi i ri i quajtur “korona” dhe që u ka marrë jetën katër njerëzve, është ngjitës, ndërsa është përhapur frika se virusi mund të përhapet me shpejtësi tek njerëzit. Qeveria kineze beson se shpërthimi i virusit të ri në qytetin Wuhan do të vihet nën kontroll.

Një zyrtar nga Ministria e Tregtisë po ashtu u përpoq të qetësonte shqetësimet për ndikimet që mund të ketë në tregje shpërthimi i virusit.

Zyrtari i lartë kinez Chu Shijia tha se ministria do të sigurohet që tregu është i mbrojtur gjatë shpërthimit të virusit.

Zyrtarët e shëndetit në qytetin Wuhan, ku edhe filloi përhapja e virusit, thonë se numri i rasteve tani e ka tejkaluar shifrën 200, me shumicën e rasteve të konfirmuara si simptoma të buta. Ndërkohë është konfirmuar viktima e fundit që ka humbur jetën, një burrë 89 vjeçar në qytetin Wuhan.

Zyrtarët e shëndetit në Korenë e Jugut thanë të hënën se kanë konfirmuar rastin e një gruaje të prekur nga virusi e cila kishte fluturuar nga qyteti Wuhan për në Incheon të Koresë së Jugut. Tailanda dhe Japonia po ashtu kanë konfirmuar raste të virusit.

Zyrtarët e shëndetit po u kërkojnë njerëzve që të tregohen të kujdesshëm por thanë se nuk ka arsye për panik. Organizata Botërore e Shëndetit nuk ka dhënë rekomandime kundër udhëtimeve drejt Kinës, ndërsa Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë thotë se përhapja aktuale e virusit është e parandalueshme dhe mund të kontrollohet.