Kina fuqizon kontrollin mbi Hong Kongun

Kina ka miratuar një plan të ri të reformës së sistemit zgjedhor për Hong Kongun, që do të forcojë kontrollin e Pekinit mbi qytetin.

Ndryshimet në Ligjin Themelor të Hong Kongut u nënshkruan nga presidenti Xi Jinping, njoftoi media shtetërore më 30 mars. Ligji Themelor është një minikushtetutë që i mundëson Hong Kongut liri të veçanta brenda Kinës.

Dokumenti daton që nga viti 1997 kur rajoni iu dorëzua Kinës nga ana e Britanisë së Madhe.

Ndryshimet ligjore i japin një komisioni pro-Pekinit fuqinë për të kontrolluar të gjithë kandidatët për parlamentin e Hong Kongut dhe për të zgjedhur shumë prej anëtarëve të tij. Kritikët kanë thënë se kjo reformë nënkupton fundin e demokracisë për Hong Kongun.

Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botës, i njohur si G7 dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se masa “tregon se autoritetet në territorin e Kinës janë të vendosur të eleminojnë zërat dhe mendimet kundërshtuese në Hong Kong”.

Sipas ligjit të ri, parlamenti i Hong Kongut do të zgjerohet nga 70 në 90 vende.

Komiteti i zgjedhjeve pro-Pekinit i Hong Kongut, i ngarkuar me zgjedhjen e shefit ekzekutiv të qytetit do të zgjedhë 40 përfaqësues të legjislaturës. Vetëm 20 vende do të zgjidhen drejtpërdrejt. Tridhjetë të tjerët do të zgjidhen nga organe që përfaqësojnë industri të caktuara dhe grupe të veçanta interesi që kanë qenë historikisht besnikë ndaj Pekinit.

Hong Kongu është qeverisur nën parimin e “një vendi, dy sisteme”, që do të thotë se qyteti ka sistemin e tij ligjor dhe të drejtat, duke përfshirë fjalën e lirë dhe lirinë e shtypit.

Por, grupet e të drejtave të njeriut dhe demokracitë perëndimore, kanë akuzuar Pekinin për shkatërrimin e këtyre lirive dhe autonomisë në vitet e fundit, veçanërisht që nga protestat masive anti-qeveritare në Hong Kong më 2019.

Pekini miratoi një ligj të sigurisë kombëtare në Hong Kong në qershor.

Shumica e politikanëve dhe aktivistëve pro-demokracisë janë burgosur ose internuar.