Kina fillon të “shërohet”, virusi korona përhapet nëpër Evropë

Shqipëria regjistroi raste të reja të infeksioneve nga koronavirusi. Pas ndërprerjes së mësimit dhe ndalimit të mbajtjes së tubimeve publike deri më 3 prill, sot kopshtet dhe institucionet janë dezinfektuar plotësisht. Fluturimet për në Itali gjithashtu janë pezulluar.

Qeveria e Serbisë, ndërkohë, ka vendosur të ndalojë përkohësisht hyrjen e shtetasve të huaj, që vijnë nga zonat me transmetim intensiv të virusit korona. Atje deri paradite kishte katër persona të infektuar, ndërsa në Greqi shifra u rrit në më shumë se 80. Kryetari i Parlamentit Evropian David Sasoli, tha se ai është në vetizolim në shtëpinë e tij në Bruksel, si masë paraprake pasi kishte udhëtuar në Itali.

“Kovid 19 i detyron të gjithë të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm. Parlamenti do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij. Asnjë virus nuk mund ta bllokojë demokracinë “-tha David Sasoli, kryetar i Parlamentit Evropian.

Në Itali, prej mbrëmë është shpallur karantinë në nivel shtetëror. Lëvizja është e kufizuar për mbi 60 milion banorë, përveç nëse e kanë të domosdoshme për të shkuar në mjek, ose për shkak të obligimeve të dëshmuara profesionale. Shkollat në Spanjë gjithashtu do të mbyllen në dy javët e ardhshme.

Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëron se kërcënimi i një pandemie është shumë i vërtetë, ndërsa në Kinë mbizotëron optimizmi, pasi kanë regjistruar vetëm 19 raste të reja në 24 orët e fundit.