Kina e ShBA-ja pranojnë të “menaxhojnë dallimet” në bisedimet Yang-Sullivan

Kina dhe ShBA-ja duhet të forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin, të menaxhojnë siç duhet dallimet dhe të parandalojnë konfliktin dhe përballjen në situatën e tanishme ndërkombëtare, tha diplomati i lartë kinez Yang Jiechi gjatë takimit me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së Jake Sullivan të hënën në kryeqytetin italian Romë.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, të dy diplomatët patën një “komunikim të sinqertë, të thellë dhe konstruktiv” mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe “çështjen e Ukrainës, problemin bërthamor të Gadishullit Korean, problemin bërthamor të Iranit dhe çështjen e Afganistanit”.

Të dy palët ranë në një mendje që të rrisin mirëkuptimin, të menaxhojnë dallimet, të zgjerojnë konsensusin dhe të forcojnë bashkëpunimin për të krijuar kushte për kthimin e marrëdhënieve kino-amerikane në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Pala kineze shpreh shqetësim të madh dhe kundërshtim të fortë ndaj fjalëve dhe veprimeve të gabuara të fundit të palës amerikane për çështjet që lidhen me Tajvanin, u shpreh Yang në takim, duke shtuar se çdo përpjekje për të lejuar dhe mbështetur forcat separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” ose për të luajtur “kartën e Tajvanit” dhe për ta përdorur çështjen e Tajvanit për ta frenuar Kinën do të jetë e kotë.

Kina i kërkon palës amerikane të njohë ndjeshmërinë e lartë të çështjes së Tajvanit, të respektojë parimin e “Një Kine”, dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane dhe premtimet e bëra, si edhe të ndalojë ecjen më tej në një rrugë të rrezikshme.

Yang shpjegoi qëndrimin solemn të Kinës për çështjet që lidhen me Xinjiang-un, Tibetin e Hong-Kongun, duke theksuar se ato kanë të bëjnë me interesat thelbësore të Kinës dhe janë punë të brendshme të Kinës, që nuk pranojnë ndërhyrje të huaj. Çdo përpjekje për t’i përdorur këto çështje për të shtypur Kinën do të dështojë, tha ai.

Një njoftim mbi takimin nga Shtëpia e Bardhë u bën jehonë komenteve të Yang Jiechi-së, duke thënë se të dy zyrtarët “theksuan rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”. Gjithashtu, në këtë njoftim theksohet se ata patën një “diskutim thelbësor” mbi krizën e Ukrainës, por pa dhënë më shumë hollësi. (Artan/Fani)