“Kina dhe Franca ndajnë perspektivë të përbashkët strategjike dhe holistike”

Foto nga Xinhua

Të enjten, kryeministri kinez Li Qiang tha që Kina dhe Franca, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vende të mëdha të përgjegjshme, ndajnë një perspektivë të përbashkët strategjike dhe holistike.

Në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, kreu i qeverisë kineze u shpreh gjithashtu që, gjatë vizitës së suksesshme të presidentit Macron në Kinë pak kohë më parë, dy liderët shtetërorë patën shkëmbime të thella dhe arritën një sërë konsensusesh strategjike, duke hartuar një program për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Francë.

Kryeministri kinez tha që vizita e tij në Francë synon të zbatojë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit, duke theksuar se ai ka pasur diskutime të thella me palën franceze mbi shtimin e bashkëpunimit strategjik.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Sipas kryeministrit Li Qiang, Kina, Franca dhe Europa kanë pikat e veta të forta dhe duhet të shtojnë më tej bashkëpunimin. Ai theksoi që, me thellimin e bashkëpunimit në fushat tradicionale, si energjia bërthamore, hapësira dhe aviacioni, të tre palët duhet të nxisin potencialin e bashkëpunimit në fusha si mbrojtja mjedisore, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe prodhimi i përparuar, me synim që të arrihen përfitime të ndërsjella.

Macron-i mirëpriti vizitën e Li Qiang-ut në Francë dhe pjesëmarrjen e tij në Samitin për një Pakt të Ri Global të Financimit. Ai tha që pala franceze u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me palën kineze dhe zbaton parimin e “Një Kine”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kreu i shtetit francez shtoi gjithashtu që vendi i tij është i gatshëm të punojë me Kinën për shtimin e koordinimit nëpërmjet Dialogut Strategjik Francë-Kinë, Dialogut të Nivelit të Lartë Ekonomik e Financiar dhe Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Shkëmbimet Njerëzore, duke shtuar bashkëpunim në fusha si aviacioni dhe hapësira, energjia bërthamore, bujqësia dhe ushqimi.

Dy palët shkëmbyen mendime edhe mbi krizën e Ukrainës dhe çështje të tjera ndërkombëtare me interes të përbashkët. (Jiang Lei)