Kina dënon mbi 40 zyrtarë për përhapjen e variantit Delta

Kina ka ndëshkuar më shumë se 40 zyrtarë lokalë për dështim në kontrollimin e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit, përderisa autoritetet po përpiqen që ta luftojnë valën më të madhe të përhapjes për më shumë se një vit.

Përhapja e fundit, e cila fillimisht u shfaq në qytetin lindor, Nanjing, është shtrirë në mbi gjysmën e 31 provincave të Kinës dhe ka shkaktuar mbi 1.000 raste me simptoma për tri javë, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Autoritetet me ngut kanë vendosur izolime të rrepta, testime masive, karantina të zgjatura dhe kufizime në udhëtime, masa që edhe më parë i kishin përdorur kundër pandemisë.

Masat ishin përdorur edhe në fillim të vitit të kaluar, kur në Kinë ishte vala e parë e pandemisë. Zyrtarët që kanë dështuar që t’i zbatojnë masat shpejt ose mjaftueshëm tashmë po përballen me masa disiplinore, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Reklamë

Në mbarë Kinën, së paku 47 zyrtarë, duke nisur nga shefa të qeverive lokale, komisione shëndetësore, spitale dhe aeroporte, janë ndëshkuar për neglizhencë, sipas deklaratave zyrtare dhe raportimeve të medieve shtetërore.

Kina e ka zbatuar të ashtuquajturën strategji me zero tolerancë, duke i vendosur nën trysni të madhe qeveritë lokale për ta luftuar virusin. Sidoqoftë, përhapja e variantit Delta ka shkaktuar paqartësi për atë se sa e qëndrueshme është kjo qasje.