Analisti dhe shkrimtari i njohur nga Shkupi, Kim Mehmeti, ka marrë pjesë në një panel diskutimi në kuadër të manifestimit “Java Çame” që po mbahet në Shkup, shkruan gazeta LAJM. Ai tha se nga prizmi i shkrimtarit, Çamërinë e sheh si pasqyrë ku më së miri tregohet fytyra e politikanëve shqiptarë që, sipas tij, interesat personale gjithmonë i kanë vënë para atyre kombëtare.
“Ne sot flasim këtu për Çamërinë. Ngaqë unë jam shkrimtarë dhe nuk jam historian apo ndonjë ekspert, do të flas nga ky prizëm dhe sipas meje Çamëria është pasqyrë ku më së miri shihet fytyra e shqiptarëve si kolektivitet që vuajnë nga harresa. Aty shihet edhe fytyra e politikanëve, burrshtetasve shqiptarë. Ne gjithmonë kemi pasur burrshtetas pakurrizorë. Burrshtetas që më shumë janë kujdesur që të mos i’a prishin të tjetërve dhe t’ia prishin shqiptarëve. Prandaj neve na ka ndodhur që të kemi politikanë pro-perendimor, por shumë pak pro-shqiptar. Ne kemi pasur politikanë pro-lindor dhe shumë të dhënë pas fesë që gjithçka kanë nisur me “bismilah” , por neve na kanë shitur ku kanë mundur si kafshë. Në botë nuk ka si politikanët shqiptarë që pasurohen për 4 vite siç nuk mund të pasurohesh për katër breza. Dhe kjo ndodh sepse ata shesin më të shtrenjtën që ne kemi, interesat kolektive”, tha mes tjerash Kim Mehmeti./Gazeta LAJM





