Kim Mehmeti: Kur vdes i burgosuri, ‘paraburgoset’ shteti!

Shkruan: Kim Mehmeti

Ka vdekje që me vete sjellin më shumë se sa pikëllim, që të çojnë përtej dhembjes dhe që janë si ndërmendje e së vërtetës se atdhedashuria shqiptare edhe më tej paguhet me trishtim e dhembje.

E tillë ishte vdekja e të riut Astrit Dehari, e cila mbeti e pazbardhur edhe shtatë vite pasi që i ndjeri ‘doli’ nga burgu i pashpirtë edhe atë thuajse vetëm sa t’i tregojë Kosovës se kur vdes një i burgosur, i tërë shteti ‘paraburgoset’ si i vetmi i dyshuar për tragjedinë e ndodhur.

Vdekje e cila neve sot na e rikujton arsyetimin e atëhershëm të parakohshëm të disa institucioneve të shtetit, e që vetëm na i ndërmendën kohët kur atdhetarët shqiptarë bënin ‘vetëvrasje’ nëpër burgjet e Jugosllavisë socialiste.

Ku ta dish, ndoshta ky rast tragjik, si dhe zvarritja e zbardhjes së tij, tregojnë se kur vjen në pushtet i porsaçliruari, ai sundon me metodat e vetme që i njeh – me ato të sunduesit nga i cili është çliruar si dhe me mendësinë politike të robëruesit të tij të deridjeshëm.

Pra me mendësinë se ngjarjet nuk duhet zbardhur, se ato nuk janë ashtu siç kanë ndodhur, por ashtu siç i përshkruan ato shteti dhe i pushtetshmi.

Dhe disa dekada me radhë Kosovën e sunduan ata që Astritin e përcollën të vdekur nga burgu, ata që e arritën atë që askush nuk e kishte imagjinuar: që populli të jetë ndaj tyre poaq mosbesues sa edhe ndaj regjimeve të huaja të deridjeshëm që sundonin Kosovën.

Me çka edhe ia dolën që Kosovën, djepin e atdhedashurisë dhe shqiptarisë, ta bëjnë vend nga do vijnë lajme për liridashës të rinj që burgu i kthen në shtëpi të vdekur. Pra ia dolën që Kosovën ta bëjnë ‘varrezë masive’ të ëndrrave të vrara rinore,
Dhe pa dyshim se edhe shtatë vite pas vdekjes së tij, Kosova ia ka borxh Astritit që të del nga mendësia politike e cila qëndron mbi parmin se forca e pushtetarit nuk matet nëpërmjet përuljes që tregon ndaj popullit të vet, por nëpërmjet arrogancës dhe mospërfilljes ndaj tij.

Pra Kosova ia ka borxh vdetvetes lirinë dhe demokracinë e mirfilltë, e të cilat janë të pamundura aty ku të gjallët nuk e dinë si dhe pse janë ‘vetëvrarë’ të burgosurit e tyre!

Nëse nuk ia shpërlan këtë borxh Astritit dhe vetvetes, atëherë Kosova do mbetet dhembje e tanishme që me shumëçka ta ndërmend atë të djeshmen, që ta rikujton se je në duart e burrështetasve që bëjnë një gabim trashanik: besojnë se së bashku me kujtimin për të ‘vetëvrarin’ në burg, koha do i zbehë edhe idealet e tij për një Kosovë të mire për popullin, e jo për pushtetarët e saj!