Kim Mehmeti: Kjo pandemi është ‘lojë fëmijësh’

Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota)
të përballeshe me Covid-19?

Kim Mehmeti: Nuk është se kjo situatë ka ngjallur diçka të veçantë në imagjinatën time. Mbase pse ne krijuesit nuk kemi nevojë për nxitje shtesë që të bëhemi ‘shërbëtorë’ edhe më të devotshëm e më të nënshtruar të imagjinatës sonë! Sidoqoftë, kjo situatw të ndihmon ta kuptosh se, njeriun më lehtë mund ta mposhtë dhe ta gjunjëzojë ‘armiku’ i padukshëm dhe i panjohur, se sa cilido tjetër. Dhe, se kjo pandemi, krahasuar me të këqijat që njeriu ia bën njerëzimit, është ‘lojë fëmijësh”.
Andaj edhe besoj se, duke qenë të rrezikuar të gjithë njësoj, bashkërisht do e ndërmendim të djeshmen tonë pa brenga, kur silleshim si të ishim të pavdekshëm kësaj bote, e ndërkaq ‘atje diku’ vdisnin e vdesin me miliona fëmijë nga uria. Pra, do i kujtojmë ata që për çdo ditë e shohin vdekjen në sytë e fëmijëve të tyre të vrarë apo të uritur, ata që nuk i ka rrezikuar dora e Zotit, por virusi më i rrezikshëm i këtij planeti- i quajtur njeri. E kundër të cilit virus ka ilaç, por askush nuk e përdor – ndërgjegjen dhe vetëdijen!
Pra, tani kur i numërojmë të vdekurit tanë, në ndërkohë duke shpresuar se ne vetë nuk do jemi ndonjë nga ata numra trishtues, duhet të përballemi me të vërtetën, sa të

papërgjegjshëm dhe të pakujdesshëm kemi qenë ndaj vetvetes, duke e lënë fatin tonë individual e kolektiv në duart e burrështetasve monstra që përbuzën çdo vlerë njerëzore, e të cilëve sot u është kujtuar se ata janë një asgjë pa mjekët, pa shkencëtarët…, pa NJERIUN!
Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?

Kim Mehmeti: Jam njeri që udhëtoj shumë. Por kur jam në shtëpi, shumë pak dal nëpër kafene apo ndeja. Rëndom, gjatë ditës lexoj dhe shëtis maleve, ku mund të bisedoj me vetveten dhe ku mund të shoh si, pamëshirshëm, e shkatërrojmë shtëpinë e përbashkët që na e ka dhënë Zoti .
Natyrën. Pra, shoh lumenj e shpate malesh të shndërruar në ‘kazanë’ për t’i hedhur mbeturinat tona, duke treguar kështu sa të pavetëdijshëm jemi se në fund do mbetemi si ‘fundërrina’ më e pavlefshme e kësaj bote. Pra, gjatë kësaj kohe, më mungojnë udhëtimet jashtë shtetit, sepse sa i përket përditshmërisë pranë familjes, nuk më është ndryshuar thuajse asgjë.
Po nuk do thoja se kjo ‘burgosje shtëpiakë’ më ka sjell diçka shtesë që nuk e kam pasur më parë.
Prej moti e kam kuptuar se rreziqet dhe tragjeditë janë ‘brumë’ nga i cili ngjeshën urtësitë e mëdha. Dhe se ato e shpërfaqin gjininë njerëzore të atillë siç është, e jo siç don të tregohet dhe siç mendon ajo për vetveten se është. Pra, rreziku e bën njeriun të jetë i natyrshëm, e madje edhe joracional. Andaj të gjithë iu vërsulën dyqaneve, thuajse nuk ishin të rrezikuar nga pandemia, por nga uria. Dhe trishtimin se do pësonin nga virusi, ua mbuloi frika irracionale se do mbeteshin pa ushqim, e do mund të vdisnin nga uria?! Gjë që tregon se, frikën racionale për atë që është duke i ndodhur sot, njeriu e mbulon me trishtimin irracional ndaj asaj që mund t’i ndodhë nesër. Pra, që tregon se do zbulohet vaksinë që do na mbrojë nga epidemia, por jo edhe ilaç që do na shërojë nga mendjelehtësia!
Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19? Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj
kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?
Kim Mehmeti: Nuk do ndryshojë asgjë e veçantë, përpos se të pasurit do bëhen edhe më të pasur e të varfrit edhe më të shumtë dhe më të varfër. Pra, do shtohet numri i hallexhinjve dhe do jemi edhe më të varur nga më të fortit. Do ndodh ajo që shpesh i ka ndodhur njerëzimit: ajo që nis si epidemi e pandemi, përfundon si ‘strategji’. Dhe me epidemitë e pandemitë merren mjekët, e me ‘strategjitë’ strategët, që çdo gjë e shohin nëpërmjet profitit konkret. Pra, epidemitë dhe pandemitë janë në duart e Zotit, i cili është i mëshirshëm ndaj nesh, por ‘strategjia’ është në duart e të pashpirtëve, që e kontrollojnë dhe që përfitojnë nga varfëria e kësaj bote! Sidoqoftë besoj se përderisa qëndrojmë të mbyllur nëpër shtëpitë tona, ne shqiptarët do e përfundojmë bisedën me
vetveten dhe do e pranojmë sa të pakujdesshëm kemi qenë ndaj vetvetes dhe fëmijëve

tanë, duke e lënë fatin tonë dhe të ardhmen e pasardhësve tanë në duart e nëntokës politike, në duart e politikanëve që janë aq të ligj, sa edhe pandeminë e keqpërdorin për lojëra politike.
Dhe, gjatë këtyre ditëve, si ma frikacaku i kësaj bote, jam ndje më shumë i mjerë, se sa i frikuar.
Jam ndje i mjerë ngaqë, si kurrë më parë jam përballur me monstrumet politik që kanë në duar fatin e fëmijëve shqiptarë. Gjë që më së miri e tregojnë monstrat politike në Kosovë, të cilët edhe në kohë kur numërohen të ndjerët nga virusi, përpilojnë plane si ta rrëzojnë qeverinë e Lëvizjes
Vetëvendosje dhe si t’ia rikthejnë vendit qeveritë e përbëra nga hajdutët ‘proamerikanë’, e që SHBA-të i mbrojnë nga ‘antiamerikanët’ tanë?! Shpresoj se trishtimi që jetojmë, do na ndihmojë të kuptojmë se krahas vaksinës kundër këtij virusi, ne shqiptarët duhet të zbulojmë edhe ilaçin kundër harresës sonë kolektive, ilaçin që ta forcon mbamendjen, si parakusht që mos të na ndodhë nesër e keqja që e përjetojmë sot.
4/9/2020 Karantina me 5 pyetje/ Kim Mehmeti: Kjo pandemi është ‘lojë fëmijësh’ |
Dhe shpresoj se do kemi kohë të mjaftueshme që ta kuptojmë se kujdesi ndaj vetvetes nuk matet nëpërmjet asaj si sillesh kur përplasesh me muret e frikës për fatin personal, por sa e kujton dhe gjurmon të mirën në vetvete kur je rehat. Dua të besoj pra se e sotmja, kur shohim se asgjë nuk vlejnë makinat tona të shtrenjta, veshjet firmato…, do na ndihmojë që nesër të jetojmë me bindjen se vlen vetëm ajo që kemi harxhuar për të tjerët, se faqebardhë e njerëzor të bënë dora që jep, e jo ajo që merr!
Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët
filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Kim Mehmeti: Jo tani, por gjithmonë, dita ime ka pasur thuajse të njëjtin ritëm: lexim, shkrim dhe shëtitje në natyrë. Por t’ua zbuloj një sekret: unë nuk mund të lexoj e të shkruaj kur më mundon diçka. Shqetësimet mua më pasivizojnë. Andaj këto ditë më së paku kam lexuar e kam shkruar.
Pjesën më të madhe të ditës e kaloj duke ecur shpateve të malit që ndodhet afër vendbanimit tim.
Gjatë ditëve kur ndodh diçka e jashtëzakonshme, unë i ‘lexoj’ njerëzit dhe sjelljen e tyre. Dhegjatë këtyre ditëve, sa i përket sjelljes së bashkëvendësve të mi, kam ‘lexuar’ diçka shumë të rëndësishme: se jetën duhet ta dëshirosh e ta ëndërrosh siç do doje ta kishe, por duhet ta jetosh ashtu siç është dhe me ato që t’i sjellë ajo.