Kim Mehmeti: Funksionarë të BDI-së e pengojn hapjen e kufijve shqiptaro-shqiptarë?!

Ditëve të fundit është shtuar revolta e shqiptarëve të Maqedonisë për mos hapjen e kufijve me Shqipërinë e Kosovën. Dhe jo pa arsye sepse kështu ata pengohen t’i vizitojnë familjarët e vet në këtë dy vende si dhe shkaku që Kosova e Shqipëri, ku gjithashtu shtohet numri i të infektuarve nga virusi Covid19, i kanë hapur kufijtë me fqinjët pa asnjë kusht.

Ndërkohë janë shtuar edhe spekulimet se hapjen e kufijve shqiptaro-shqiptarë e pengojnë disa funksionarë të BDI-së. Dhe se këtë e bëjnë për ta penguar opozitën e këtushme shqiptare të kontaktojë me mediat në Prishtinë e Tiranë?

Në një postim në faqen e tij të FB, shkrimtari ynë Kim Mehmeti thotë se u beson këtyre spekulimeve sepse janë shumë të logjikshme.

Sipas Kim Mehmeti, kufijtë e mbyllur me Kosovën e Shqipërinë i shkojnë për shtati BDI-së sepse kështu pamundësohet bashkëpunimi mediatik mbarëshqiptarë, a me këtë heshten zërat kritik ndaj kësaj partie. Mehmeti pohon se BDI-në e frikon edhe ardhja e aktivistëve të VV në Maqedoni për ta ndihmuar opozitën shqiptare.

Më poshtë mund ta lexoni komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti:

“U besoj spekulimeve se funksionarë të BDI-së e pengojnë hapjen e kufijve shqiptaro-shqiptarë?!
Në mos më shumë, këto pohime janë shumë të logjikshme sepse vetëm kështu mund të pengohet puna dhe kontakti direkt mes opinionistëve të Maqedonisë dhe mediave në Kosovë e Shqipëri, me çka edhe pakësohen kritikat parazgjedhore për këtë parti të ardhura nga Tirane e Prishtina.

Pastaj nuk duhet harruar: DBI-në e frikon edhe angazhimi i paralajmëruar i Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndihmuar opozitën e këtushme të bashkuar shqiptare!

Sidoqoftë mbetet e vërteta se përderisa Kosova e Shqipëria – ku bëhen më pak teste, e ku gjithashtu për çdo ditë rritet numri i të infektuarve nga virusi Covid19 – i kanë hapur kufijtë, Maqedonia të lejon të dalësh jashtë shtetit, por vetëm nëse nënshkruan se ‘hekë dorë’ nga shtetësia e saj? Apo, u lejon bashkëkombësve tanë të vijnë të na vizitojnë, por vetëm nëse nuk zbresin nga vetura dhe nëse nuk rrinë me ne më shumë se 5 orë?!”, shkruan Kim Mehmeti.