Kim Kardashian tallet me kritikat ndaj serialit të saj “All’s Fair”

Kim Kardashian, ylli 45-vjeçar i reality-show dhe sipërmarrësja e suksesshme, është përballur së fundmi me një lumë kritikash për serialin e saj të ri “All’s Fair”. Por në vend që t’i anashkalonte komentet negative, ajo bëri diçka krejt të papritur: iu bashkua talljes.

Në Instagram, Kim publikoi disa nga komentet më të ashpra dhe më qesharake që i janë bërë serialit, duke treguar se di t’i marrë gjërat me sportivitet dhe të tallet me veten.

Seriali, i prodhuar nga emri i madh i televizionit Ryan Murphy, nuk ka arritur të marrë përshtypje të mira nga publiku dhe kritikët. Mirëpo Kim e ka shfrytëzuar negativitetin si mundësi marketingu.


“E keni parë serialin më të lavdëruar të vitit!?!?!? All’s Fair, tani i disponueshëm në Hulu dhe Disney Plus”, shkroi ajo me ironi krahas videove dhe screenshoteve me komentet përqeshëse.

Një nga komentet që ndau ishte përgjigjja ndaj vlerësimit 0% në Rotten Tomatoes “Sapo shtypa play”.

Një përdorues tjetër shkruante: “Disa nga aktrimet më të këqija që kam parë ndonjëherë, me historitë më të parashikueshme dhe stilin më qesharak. Jam i fiksuar, dua 14 sezone”.

Ndërsa një koment tjetër, po aq thumbues, e cilësonte serialin: “#AllsFair është si ‘Scream Queens’, por për nënat që pijnë verë dhe homoseksualët milenialë. Thjesht nuk e kuptoni”.

Me këtë qasje të hapur dhe plot humor, Kim Kardashian tregoi edhe një herë se di si t’i kthejë kritikat në avantazh – dhe interneti, natyrisht, e adhoi.