Kievi zmbraps një tjetër valë të sulmeve ajrore ruse

Kievi zmbrapsi një tjetër valë sulmesh ajrore nga forcat ruse gjatë natës, thanë zyrtarët ukrainas më 29 maj, një ditë pasi kryeqyteti i Ukrainës u vu nën atë që autoritetet e përshkruan si sulmi më të madh me dronë ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.

“Kanë kaluar vetëm 18 orë nga sulmi më i madh me [dronë] në Kiev dhe armiku e sulmoi përsëri kryeqytetin”, tha administrata ushtarake e qytetit, duke shtuar se ky ishte sulmi i 15-të ajror ndaj Kievit që nga fillimi i majit.

Sipas autoriteteve të Kievit, sistemet mbrojtëse të Ukrainës rrëzuan 37 raketa dhe 29 dronë gjatë natës.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ishte “një tjetër natë e vështirë” për qytetin, por ai tha se nuk u raportua për viktima apo dëme të mëdha nga sulmet e fundit ajrore.

“Falë profesionalizmit të mbrojtësve tanë, si rezultat i sulmit ajror nga barbarët në Kiev, nuk ka pasur dëme apo shkatërrime në infrastrukturë dhe objekte të tjera apo në ndërtesa të banimit”, shkroi Klitschko në Telegram. “Nuk ka të lënduar apo të vdekur”.

Ndërkohë, dëme u raportuan në qytetin Khmelnytsky, në perëndim të Ukrainës, ku autoritetet rajonale thanë se forcat ruse e sulmuan një objekt ushtarak gjatë natës.

Ata thanë se “pesë avionë janë vënë jashtë funksionit”, ndërsa shtuan se po punojnë për t’i fikur zjarret në magazinat e karburanteve.

Të paktën dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën shkaku i sulmit të një dite më parë në Kiev. Ai sulm kishte sjellë dëme edhe në disa ndërtesa.

Sulmet erdhën të dielën e fundit të majit, kur kryeqyteti ukrainas e festonte Ditën e Kievit, përvjetorin e themelimit zyrtar të qytetit, 1541 vjet më parë.

Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qeta, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë.

Vëzhguesit e luftës në Ukrainë kanë thënë se intensiteti i shtuar i sulmeve ajrore ruse duket se synon pikërisht sistemet e reja të mbrojtjes ajrore.

Një sulm i kryer më 16 maj kishte shkaktuar dëme “të vogla” në një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot afër Kievit, sipas zyrtarëve amerikanë, që shtuan se, megjithatë, ai ishte ende funksional.

Kjo seri e fundit e sulmeve vjen pas një përshkallëzimi të mëparshëm gjatë dimrit, kur ishte synuar infrastruktura kyçe, si stacionet e energjisë dhe objektet e logjistikës ushtarake.

E përforcuar nga pajisjet e sofistikuara të furnizuara nga perëndimi, mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur t’i pengojë sulmet ajrore ruse.

Por, sistemet e mbrojtjes nuk kanë arritur t’i mbrojnë civilët nga çdo dëm. Mbetjet nga raketat e shkatërruara ruse kanë rënë mbi civilët, duke shkaktuar zjarre dhe lëndime.