Kidnapuan një 21-vjeçar me “Mercedes”, e kërcënuan dhe e rrahën – policia arreston dy persona

Dy banorë të fshatit Koreshnicë në rajonin e Demir Kapija janë arrestuar pasi policia reagoi ndaj një denoncimi për një incident të rëndë në Negotinë.

Sipas informacioneve nga autoritetet policore në Negotinë, bëhet fjalë për personat me iniciale B.M. (37) dhe Q.S. (30), të cilët janë privuar nga liria gjatë orëve të pasdites.

Ata dyshohen se, me një veturë të tipit “Mercedes”, kanë privuar në mënyrë të paligjshme nga liria një 21-vjeçar nga Negotina, duke e kërcënuar me armë zjarri dhe mjet të mprehtë. Më pas, e kanë dërguar në një lokacion të panjohur ku edhe e kanë sulmuar fizikisht.

Gjatë ndërhyrjes policore janë gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit dhe sende të tjera që lidhen me rastin, ndërsa për ngjarjen është njoftuar edhe prokurori publik.

Të dyshuarit janë ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.