Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të Kosovës, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, raporton Ekonomia Online.
Vendimi është marrë me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim. Gjatë diskutimit, anëtarët e KGJK-së kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mundësinë e rikthimit të tyre në sistemin gjyqësor. Emrat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr në vitin 2022 do t’i dorëzohen ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.
Anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, ka kundërshtuar rikthimin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, duke theksuar se dorëheqjet e tyre në vitin 2022 kanë qenë të parevokueshme dhe se gjatë katër viteve ka pasur ndryshime në ligje dhe praktika.
“Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, kjo është për me pasur parasysh. Duke pasur parasysh këtë gjendje unë konsideroj që gjyqtarët edhe stafi administrativ duke pasur parasysh që 4 vite nuk janë, ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën e gjyqtarit dhe pozitat administrative. Konsideroj se absolutisht nuk janë të aftë të ushtrojnë pozitën sepse kanë ndryshuar ligji, praktikat, në aspektin profesional së pari. Unë konsideroj që për disa janë të përfshirë edhe në aktivitete politike, ata që janë të përfshirë në aktivitete politike nuk kanë vend sistemin gjyqësor të Kosovës. Ne nuk e din që ndonjëri nga ta mund të ketë kryer edhe vepër penale. Propozoj që të mos aprovohet kërkesa për revokimin e dorëheqjes”, tha ai.
Në anën tjetër, anëtarja e KGJK-së, Ivana Milenkoviq, ka mbështetur kthimin e tyre në sistem, duke argumentuar se me pranimin e tërheqjes së dorëheqjeve do të përmbushej garancia kushtetuese ndaj qytetarëve.



