KFOR’i e quan arrestim kapjen e tre policëve, nuk deklarohen ku ka ndodhur: S’ishim në zonë

KFOR’i ka deklaruar sërish se nuk ishte në zonën kur tre policët kosovarë u kidnapuan nga forcat serbe. Po ashtu kidnapimin e policëve KFOR e cilëson si arrestim.

Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR’i ka treguar se janë në kontakt me autoritetet e Kosovës, Serbisë si dhe EULEX’it.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë. KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në përgjigje.

Më tutje, KFOR’i kërkon nga palët që të ulin menjëherë tensionet.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”.

“KFOR-i po monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ai gjithashtu vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të çuar përpara dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në përgjigje.