KFOR thotë se u njoftua për aksionin në veri, por s’mori pjesë në të

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është njoftuar “pak kohë” para se autoritetet kosovare të sigurisë të nisnin operacionin në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë më 20 maj.

Gjatë operacionit policor, të kryer në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – autoritetet e Kosovës thanë se mbyllën gjashtë objekte Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Teksa po zhvillohej aksione, vetura të KFOR-it, por edhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), u panë në veri.

“Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në zbatimin e këtyre operacioneve”, u tha në njoftimin e KFOR-it të lëshuar më 21 maj.

Ky mision tha se pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës “që mund të ndikojë te siguria rajonale”.

Misioni i NATO-s në Kosovë përsëriti qëndrimin se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se ky aksion ishte veprim i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se përshkallëzon tensionet.

Edhe BE-ja e quajti përshkallëzues dhe të njëanshëm aksionin policor në veri.

Policia e Kosovës tha se aksioni i 20 majit u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

LEXONI EDHE KËTË:

SHBA: Aksioni policor në veri, i pakoordinuar dhe përshkallëzon tensionet

BE-ja e quan përshkallëzues dhe të njëanshëm aksionin policor në veri

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani./REL