Misioni Paqeruajtës i NATO-së në Kosovë (KFOR) ka nisur një hetim për të vërtetuar faktet e një videoje të publikuar në media, përmes së cilës pretendohet se ushtarë të KFOR-it blejnë drogë, saktësisht kokainë.
Në videon e publikuar nga “Syri.net”, një shpërndarës droge që punon me ushtarët e KFOR-it ka arritur të dokumentojë gjithçka përmes pamjeve.
Sipas videos, shpërndarësi e takon disa herë ushtarin armen te baza e KFOR-it pranë Aeroportit të Prishtinës, i cili i jep naftë, xhaketa ushtarake, ushqime dhe ujë në këmbim të kokainës.
KFOR-i ka thënë se për raportimet e mediave në fjalë, KFOR-i ka nisur një hetim për të vërtetuar faktet.
“NATO-ja e mban të gjithë personelin e saj me standardet më të larta profesionale dhe etike dhe respekti për sundimin e ligjit është parësor”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it, për Telegrafin.




