KFOR-i amerikan zhvillon trajnime kundër dronëve për rritjen e sigurisë në Kosovë

Ushtarë amerikanë të KFOR-it kanë zhvilluar së fundmi trajnime të specializuara kundër sistemeve ajrore pa pilot (Counter-Unmanned Aerial Systems – C-UAS), me qëllim rritjen e aftësive për zbulimin dhe gjurmimin e dronëve.

Siç është bërë e ditur nga njoftimi në Facebook i misionit të NATO-s në Kosovë, aktiviteti është fokusuar në përdorimin e sistemeve më të avancuara teknologjike, duke synuar përmirësimin e përgatitjes teknike në fushën kundër dronëve.

Krahas aspektit teknik thuhet se trajnimi ka shërbyer edhe për forcimin e koordinimit, punës ekipore dhe aftësisë për t’u përshtatur me situata të ndryshme operative.

Nga KFOR-i theksohet se përmes trajnimeve të vazhdueshme, misioni rrit nivelin e gatishmërisë dhe efektivitetit operacional, në përputhje me mandatin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.