Këto janë vendimet që u morën në seancën e parë të Kuvendit të ri

Kuvendi i Kosovës miratoi në një seancë të jashtëzakonshme plenare të enjten Rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke kërkuar zbatim me përpikëri të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për proces të drejtë dhe të paanshëm.Rezoluta, e paraqitur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u miratua me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, pasi paraprakisht u votua shmangia nga rendi i ditës për ta trajtuar si pikë të parë.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.Dokumenti kërkon nga institucionet e drejtësisë në Hagë që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe standardet e përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rastet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve.

Po ashtu Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe standardeve ndërkombëtare për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.Gjatë debatit, kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, propozoi shtimin e një pike në tekstin e rezolutës, por propozimi nuk mori mbështetjen e nevojshme as që të dal në votim.

Përparim Gruda i PDK-së tha se teksti është i një grupi profesorësh, rreth 300 anëtarë, që janë deponuar si peticion në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, dhe tha se vetëm ka pasur dakordim.Megjithatë, Lushaku insistoi që pika e propozuar nga ta, të përfshihet në rezolutë.

Për pasojë, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim. Pas seancës, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka treguar arsyet e përmbajtjes nga votimi për rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se mos përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ka bërë që të mos marrin pjesë në votim.
Fatos Geci i partisë Guxo së ishte deputeti i vetëm që votoi kundër Rezolutës për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai më pas u shpreh se është krenar me veprimin që e ka bërë.Seanca e mbrëmshme vijoi me miratimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për zgjatjen e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars 2026, me qëllim të shmangies së pengesave në procesin e pagesave deri në miratimin e buxhetit të ri.

Në fund, Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e dhjetë, me anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, sipas ndarjes së dakorduar në Kryesinë e Kuvendit.