Këto janë vendet e vetme të NATO-s që e mbështesin Trumpin për Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar këtë javë se “shumica” e anëtarëve të NATO-s kanë thënë se do të qëndrojnë jashtë luftës SHBA-Izrael me Iranin.

Deri më tani, siç shkruan Forbes, të vetmit anëtarë të NATO-s që kanë dalë në mbështetje të sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit janë Republika Çeke, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lituania dhe Letonia.

Forbes përmend këtu edhe Kosovën, e cila nuk është anëtare e NATO-s.

Të tjerë, përfshirë Danimarkën, Finlandën dhe Luksemburgun, kanë mbetur neutralë në mendimet e tyre për sulmet, ndërsa kanë lëshuar kritika ndaj regjimit iranian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama:

“Ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump”, ka shkruar ai në një postim në X më 28 shkurt, ditën e parë të sulmeve, duke dënuar “agresionet kibernetike” të Iranit kundër Shqipërisë, e cila ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pas një sulmi të madh kibernetik ndaj qeverisë shqiptare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani:

Duke ripostuar fjalimin fillestar të Trumpit për sulmet e 28 shkurtit, Osmani ka shkruar në X: “ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit DonaldTrump,” duke shtuar: “ne do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë më në fund një shans lirisë dhe paqes.”

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski:

“Ne qëndrojmë përkrah aleatëve tanë amerikanë në përballjen me kërcënimet destabilizuese në Lindjen e Mesme,” shkroi ai në X, duke shtuar: “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë – por parandalimi mbetet thelbësor kur ekzistojnë rreziqe të besueshme.”

Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda:
“SHBA-ja dhe Izraeli vepruan drejt” duke sulmuar Iranin pasi “Irani nuk mori parasysh kërkesat e SHBA-së për të ndaluar pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e armëve bërthamore”, ka thënë ai për Televizionin dhe Radion Kombëtare të Lituanisë, duke e quajtur këtë një “çështje të pashmangshme.”

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs:

“Në një masë të madhe, ky operacion është pasojë e asaj që Irani ka bërë për dekada”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp më 3 mars, duke shtuar se preferon diplomacinë, por “diplomacia do të ketë vend vetëm në momentin kur Irani të heqë dorë nga çdo plan për zhvillimin e një programi bërthamor ushtarak… duke marrë parasysh të gjitha këto aspekte, operacioni që po kryhet aktualisht nga SHBA-ja dhe Izraeli është i kuptueshëm”.

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babiš:

“Programi bërthamor i pakontrolluar i Iranit dhe mbështetja për terrorizmin janë një rrezik për ne dhe për gjithë Evropën”, duke shtuar në një postim në X se “Republika Çeke qëndron përkrah aleatëve tanë dhe besoj se stabiliteti dhe paqja do të mbizotërojnë së shpejti në rajon”.