Shkruan: Blerim Shala
Viti 2025, për këtë së paku pajtohen të gjithë, është politikisht i humbur për Kosovën.
Shkaqet i dimë.
Çfarë viti financiar do të kemi, do ta shohim në fund të tij, atëherë, kur do të duhej të miratohej Buxheti për vitin 2026.
Ndërsa, për ta miratuar Buxhetin për vitin vijues, duhet të ketë Qeveri dhe duhet të ketë Kuvend që e aprovon atë. Në të kundërtën, do të kemi një buxhet emergjent, muaj për muaj, por vetëm për një periudhë të shkurtër kohore.
Në aspektin diplomatik, ky vit që ofron kërcënime dhe rreziqe të shumta, kur dihet se çka po ndodhë në Botë, ende paraqet një të panjohur të madhe për Kosovën. Aty këtu përvijohen deklarata të cilat, si këto të Presidentit amerikan Trump, marrin krejt vëmendjen e skenës politike të vendit dhe të qytetarëve të tij, teksa neve na mbetet që të bëjmë interpretime dhe spekulime të cilat vështirë që mund të kenë përfundim racional.
Natyrisht, këto dy dimensionet tjera të situatës në të cilën gjendemi tash e tre-katër muaj (pra, ai financiar dhe dimensioni diplomatik), janë në varësi të drejtpërdrejtë nga ai i pari, kryesori, apo, nga rrafshi i brendshëm politik. Sekush këtu mund të shtojë me të drejtë që rrjedhat në Evropë dhe Botë do ta bëjnë të veten edhe për ne, pa marrë parasysh se a kemi ne apo jo një vendnumërim politik. Apo, që pak ose hiç nuk mund të ndikojmë në këtë aspekt.
Megjithatë, ndryshe do të jetë nëse ndodhë një mobilizim i mirëfilltë politik, nëse krijohen sa më parë institucionet qendrore, nëse pra tejkalohet vakumi politik, sepse tek e fundit, si Kosovë, kemi edhe shumë punë për të bërë në vitet e ardhshme, për të mbërritur në cakun final të një rrugëtimi politik dhe historik, që do të kishte domethënien e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian.
Këtu, në këtë aspekt, nuk ka hamendje te askush. Ndryshe, qëndrueshmëria e përhershme e shtetit të Kosovës nuk do të sigurohet.
Nëse pra i kthehemi fjalisë së parë të këtij shkrimi, çka do të ndodhë tash e tutje, në javët dhe muajt vijues, do të na shfaqë atë pyetjen që do të duhej të ishte në mendjen e të gjithë neve, veçmas (natyrisht), në atë të politikanëve të këtij vendi: A do të mund të shpëtohet politikisht viti vijues, ai 2026, në të cilin, sipas të gjitha gjasave apo të panjohurave të njohura (siç do të shprehej Donald Rumsfeld, Sekretari i mbrojtjes në Administratën e parë të Presidentit George W. Bush), do të përballemi deshëm apo nuk deshëm me sprova të shumëfishta politike, diplomatike dhe ekonomike.
Po ta marrim si pikë nismëtare për çfarëdo analize skenën aktuale politike kosovare, vështirë që do të mund t’i shmangemi qëndrimit që në vjeshtën e këtij viti, e ndoshta, edhe në pranverën e vitit të ardhshëm, na presin katër palë votime, pos në rastër kur për zgjedhjen e kryetarit të komunave, nuk do të duhet të aplikohet balotazhi, sepse një kandidat, që në rrethin e parë do të fitojë mbi 50% të votave të qytetarëve që marrin pjesë në këto zgjedhje.
Megjithatë, realisht, është racionale të thuhet që së paku kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, do t’i kemi në shumë komuna dy rrathë të votimeve, të parin me 12 tetor dhe të dytin, me 9 nëntor.
Në anën tjetër, janë fare të paktë politikanët dhe qytetarët e Kosovës, të cilët nuk parashikojnë zgjedhjet e reja, kësaj here të parakohshme parlamentare, në vjeshtën e këtij viti, pos nëse nuk na ndodhë mrekullia që partitë dhe liderët e tyre të gjejnë gjuhë të përbashkët për një qëllim të vetëm, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Në të kundërtën pra, për herë të katërt këtë vit (nëse i llogarisin edhe zgjedhjet e 9 shkurtit), do t’ia mësyjmë qendrave të votimit.
Por, nëse ndodhë një gjë e tillë, edhe nëse rezultatet e tyre do të jenë më shpresëdhënëse për të mos hyrë sërish në një ngërç politik kur flitet për kuvendin dhe qeverinë, do të jetë vështirë, në mos edhe e pamundur që të mbërrihet tek përkrahja prej dy të tretave të deputetëve të kuvendit, e cila është e domosdoshme për zgjedhjen e presidentit, më së voni me 4 mars të vitit 2026.
Kështu qëndrojnë punët.