Këshilltarët e AKI-së përgënjeshtrojnë Kostovskin: Nuk kemi votuar për mbyllje të paraleles

Këshilltarët komunalë të AKI-së në Butel kanë përgënjeshtruar pohimet e kryetarit të komunës së Butelit Darko Kostovski, se vendimi për ri organizimin e paraleleve, që çoi te mbyllja e një paraleleje në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Peko, është votuar unanimisht nga i gjithë Këshilli Komunal. Këshilltarët e AKI-së thonë se në procesverbalin që posedojnë nga seanca e Këshillit, mbyllja e paraleleve në shkolla nuk ka qenë temë diskutimi.

“Në seancë kanë marrë pjesë 19 këshilltarë. 11 këshilltarë janë të përkatësisë maqedonase dhe 8 jemi shqiptarë. Në versionin e gjuhës maqedonase thuhet: 11 vota “PRO”, asnjë “KUNDËR” dhe asnjë “ABSTENIM”. Ndërsa në versionin në gjuhën shqipe thuhet: 11 vota PRO”, asnjë “KUNDËR” dhe 1 “ABSTENIM”. Pra kemi dy versione të të njëjtit procesverbal me të dhëna të ndryshme”, kanë reaguar këshilltarët e AKI-së në Butel.

Alsat kontaktoi edhe me këshilltarët e VLEN-it në Butel. Ata vendosën që për momentin të mos dalin me qëndrim publik por kërkesat e tyre ti shpalosin në seancën e Këshillit që është caktuar për ditën e nesërme. Na informuan se në seancë do të kërkojnë që të pranohen edhe fëmijë nga komuna e Çairit. Kërkesë të tillë kanë paralajmëruar edhe nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Do kërkojnë që të rikthehet edhe paralelja në gjuhën shqipe. Ditë më parë për Alsat kryetari i Butelit Darko Kostovski tha se vendimi për ri organizimin e paraleleve është marrë në seancë të Këshillit të Komunës, ku këshilltarët shqiptarë nuk kanë votuar kundër. Pas kësaj, Kostovski doli edhe me një reagim tjetër publik ku tha se Buteli nuk do të jetë poligon për politika etnike. Thotë se rregullat ligjore duhet të respektohen nga të gjithë.

“Turpi është ende më i madh kur për qëllime politike, manipulohet pikërisht me fëmijët. Të shfrytëzosh fëmijët për krijimin e tensioneve etnike dhe mbledhjen e pikëve politike, është gjëja më e poshtër që mund të bëhet në politikë. Në Butel nuk ka fëmijë “tanët” dhe “tuajt”. Ka fëmijë që meritojnë trajtim të barabartë arsim cilësor dhe institucione që punojnë sipas ligjit dhe rregullave. Asnjë presion, asnjë kërcënim dhe asnjë mobilizim etnik nuk do të më detyrojnë të veproj në kundërshtim me ligjin”, është përgjigjur Kostovski.

Ndër vite në “Penko” fëmijët nga Çairi janë regjistruar pa kurrfarë pengesash për shkak të afërsisë së objektit shkollor me vendbanimet e tyre. Me miratimin e Ligjit për Arsimin Fillor, në janar të vitit 2025, prindërit nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në shkolla jashtë rajonit ku ata jetojnë./Alsat.mk