Kërstiq: Do të kemi paqe në veri gjatë javëve të ardhshme

Gazetari serb nga veriu, Branislav Kërstiq, deklaroi se gjatë dy-tre javëve të ardhshme pritet të ketë paqe në veriun e Kosovës, pasi sipas tij, në këtë proces po synohet zbatimi i Aneksit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai deklaroi të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se mesazhet e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ishin që arrestimet e serbëve në veri janë të paligjshme, por siç tha Kërstiq, deklarimet e të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ishin pro arrestimeve dhe respektimit të ligjit. Kjo sipas tij, tregon që Kosova duhet të vazhdojë me arrestimin e kriminelëve që veprojnë në veri, por ai tha se kanë ndodhur edhe arrestime të gabuara.

“Ne e dimë që Njësia po arreston kriminelë në veri, askush s’po reagon, por nga 9 persona, 2 kanë qenë arrestime të gabuara. Nëse do të kemi edhe në të ardhmen arrestime, Policia duhet të marrë vendim në bazë ligjore dhe jam i sigurt që nëse do të bëhen arrestime, s’do të kemi rezistencën e disa serbëve sepse e dinë edhe kriminelët që janë në disa lista të kryeministrisë, janë larguar nga shteti dhe jam i sigurt që do të kemi 2-3 javë paqe në veri”, tha ai.

Kërstiq u shpreh se arrestimi i Millun Milenkoviqit, i njohur me nofkën “Llune”, mund të ketë qenë i qëlluar, por sipas tij, njësia e quajtur “Mbrojtja Civile”, në të cilën thuhet se i arrestuari ishte pjesë, s’është organizatë e konsideruar si kriminale.

“Më duket se ishte i punësuar (Llune), i ka pasur disa lidhje me Mbrojtjen Civile. Nëse shteti ynë s’ka dalë me vendim cka është mbrojtja civile në veri…Nuk garantoj për askënd, por jam në atë drejtim që para 3 vjetëve ai person ka marrë një banesë nga shteti i Serbisë. Ai s’ka qenë i angazhuar, por s’e di a ka qenë kriminel”, shtoi ai.

Sipas gazetarit kosovar që punon në veri, qytetarët e zakonshëm janë të frikësuar për situatën e krijuar. Ai theksoi se në aspektin e banorëve, s’ka nevojë të ketë njësi speciale të Policisë së Kosovës, “por për kontrabandistët i kemi rrugët ilegale që janë mbyllur”.

Duke folur për vizitën e djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në organizimin për Vidovdan, gazetari u shpreh se “për serbët e veriut, vizita e tij nuk është asgjë”.