Para një viti Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kërkonim bashkimin e votës shqiptare në mbështetje të kandidatit shqiptar për President të vendit
“Kur mendojnë se mund të bëjnë konsensus, apo ujdi siç thotë profesori ynë i dashur, me të tjerët, me komshiun para se të bëjnë ujdi me vëllain, duhet ta dinë se e kanë gabim, sepse të tjerët as që na llogarisin si të barabartë me vetveten,” tha Bilall Kasami, kryetar Besa.
“Jepni mesazhin e vazhdimësisë politike të shqiptarëve këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo turpin e shndërrimit të politikbërjes shqiptare në vasalë dhe çirakë dhe në degë të VMRO-DPMNE-së ose të LSDM-së,” tha Ziadin Sela, kryetar ASH.
Tani pas një viti, këto dy subjekte nuk po ia shtrijnë dorën BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Por pse?
As Aleanca e as Besa nuk e kundërshtojnë idenë, por kanë dyshimet e tyre tek propozuesi, pra BDI-ja.
Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa Arjanit Hoxha thotë se kanë hamendje në seriozitetin e BDI-së për këtë çështje, duke rikujtuar edhe mos mbështetjen e partisë së Ahmetit në zgjedhjet Presidenciale.
TV21: Meqë BDI bëri atë gabim dhe nuk e mbështeti atëherë koalicionin tuaj për Rekën, ju tani të mbështesni tani idenë për kryeministër shqiptar?
Hoxha shprehet i bindur se një ditë Maqedonia e Veriut do të ketë kryeministër shqiptar, ndërsa shton se rrugëtimi për kryeministër shqiptar është nisur më mirë mes koalicionit Besa-LSDM, se sa me propozimin e BDI-së.
AsAleanca për Shqiptarët nuk e kundërshton idenë e kryeministrit shqiptar, por këtë ide të BDI-së e shohin se buron nga frika integristëve për humbje të zgjedhjeve.
“Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 6 herë zgjedhjet. Së bashku me Cërvenkovskin, së bashku me Buçkovskin, Hari Kostovin, Gruevskin, Zoran Zaevin, unë nuk e di 6 herë fitojnë zgjedhjet, së paku një herë të kërkonin hajde Kryeministri të jetë shqiptar, asnjëherë s’e kam dëgjuar! Unë e kuptoj këtë shqetësim, të hedhjes së idesë, nuk e kundërshtojmë, as që diskutohet nuk jemi kundër, ata janë në panik të humbjes së zgjedhjeve,” tha Arben Taravari, sekretar gjeneral ASH.
Mendim të tillë kanë edhe nga Alternativa.
“Konsideroj se kërkesa e BDI-së për kryeministër është vetëm se një arsyeje e fuqishme se BDI-ja e sheh veten në opozitë,” tha Skendër Rexhepi, sekretar gjeneral Alternativa.
Ditë më parë, në 18 vjetorin e themelimit, Bashkimi Demokratik për Integrim doli me synimin dhe qëllimin e saj, që në këto zgjedhje Maqedonia e Veriut të ketë kryeministrin e parë shqiptar.






