Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që u arrestuan ditë më parë

Dy persona me inicialet D.H dhe I.I, zyrtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë arrestuar ditë më parë për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka kërkuar që të njëjtëve tu caktohet masa e paraburgimit. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

“Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Ulaj.

Arrestimi i dy të dyshuarve ka ndodhur të hënën nga Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion me urdhër të Prokurorit të Shtetit.