Kërkohet paraburgim për dy persona! Prokuroria: E kanë përdhunuar vajzën e mitur në Likovë dhe i kanë kërkuar 20,000 €

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë hetimore dhe do të propozojë masë paraburgimi për 2 persona, të dyshuar për sulme seksual, ndërsa njëri prej tyre, dyshohet edhe për shantazh, përcjell TV21. Nga Prokuroria njoftojnë se rasti ka ndodhur në komunën e Likovës.

“I dyshuari i parë, në kundërshtim me vullnetin e shprehur qartë, ka kryer veprime seksuale ndaj një vajze të mitur në Likovë, dhe e ka detyruar atë në veprime seksuale edhe me të dyshuarin e dytë. Më pas, viktimës i ka kërkuar para duke e kërcënuar se do të publikojë foto të saj eksplicite nëse nuk do t’i paguajë 20,000 euro. Vajza është detyruar të marrë para nga shtëpia pa dijeninë e prindërve dhe të huazojë nga persona të tjerë, duke i dhënë shumën e parave disa herë të dyshuarit të parë. Prokurori, duke vlerësuar se janë përmbushur bazat ligjore, i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Kumanovë propozim për caktimin e masës paraburgim për të dy të dyshuarit, të cilët janë të privuar nga liria. Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë vazhdon të ndërmarrë veprime hetimore. Në interes të hetimit dhe për nevojën e mbrojtjes së viktimës së mitur, prokuroria apelon për raportim të kujdesshëm dhe etik të ngjarjes, si dhe për përdorimin e burimeve zyrtare”, thonë nga Prokuroria.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, personat e dyshuar janë N.A. 31 vjeç nga fshati Sllupçan dhe Q.M. 28 vjeç nga fshati Sllupçan./tv21.tv