Kërkohet nga top gjigantët evropianë, Dortmund synon ta “blindojë” yllin e skuadrës

Borussia Dortmund po vazhdon planifikimin e skuadrës për vitet e ardhshme dhe pas Nico Schlotterbeck, tani në fokus të drejtuesve ka hyrë edhe Karim Adeyemi.

Sipas raportimeve të “Bild”, kontrata e 23-vjeçarit, e cila aktualisht është e vlefshme deri në vitin 2027, pritet të rinovohet më herët sesa ishte planifikuar, duke u përshtatur me rëndësinë e tij sportive brenda ekipit.

Raporti shton se objektivi i qartë i Borussia Dortmundit është t’i ofrojë Adeyemit një kontratë dukshëm të përmirësuar financiarisht. Pavarësisht se vlera e tij në treg vlerësohet rreth 60 milionë euro, anësori ofensiv aktualisht përfiton rreth 6 milionë euro në vit, çka e rendit atë vetëm në nivelin e mesëm të lartë të strukturës së pagave në klub.

 Karim Adeyemi

Pikërisht në këtë aspekt Dortmund dëshiron të ndërhyjë, me synimin për ta lidhur Adeyemin afatgjatë me klubin dhe për ta shpërblyer për rolin e tij gjithnjë e më të rëndësishëm në repartin ofensiv. Drejtuesit shohin tek ai një figurë kyçe për projektin sportiv të së ardhmes.

Një pikë e ndjeshme në negociata mund të jetë klauzola e lirimit. Përfaqësuesit e Adeyemit pritet ta kenë këtë opsion në konsideratë, ndërsa Borussia Dortmund preferon ta shmangë çdo klauzolë largimi dhe të insistojë për një rinovim klasik, pa një rrugë të lehtësuar për largim në të ardhmen.

Bisedimet pritet të intensifikohen në muajt në vijim, me Dortmundin që synon të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen. Ndërkohë, Adeyemi kërkohet edhe nga top klubet evropiane, pasi në të kaluarën u vëzhgua edhe nga gjigantët evropianë si Barcelona, Man Utd dhe Juventus.